Të dyshuarit për Rastin Skripal: Vizituam Britaninë si turistë

15:06 | 13 Shtator 2018
Arbresh.info
Dy rusë me emrin e njëjtë sikurse dy të dyshuarit, për të cilët autoritetet britanikepretendojnë se kanë qenë autor të helmimit të ish-spiunit rus, Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia në Sallsbëri, Aleksandr Petrov dhe Ruslan Boshirov, kanë thënë për televizionin e financuar nga Rusia, RT, se ata kanë vizituar Britaninë si turistë.
Të dy burrat, që duken të ngjashëm me fotografitë e prezantuara nga Britania, kanë kundërshtuar të kenë pasur ndonjë rol në tentim-vrasje të Skripalëve.

Indentitetet e të dy personave nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.

“Miqtë tanë na kanë sugjeruar për një kohë të gjatë të vizitojmë këtë qytet të mrekullueshëm”, ka thënë njeri nga burrat gjatë intervistës.

Ata kanë thënë se mund të kenë kaluar nga shtëpia e Sergei Skripalit, mirëpo pa dijeninë e tyre.

“Ndoshta kemi kaluar afër shtëpisë së Skripalit, mirëpo nuk e dimë se ku gjendet”, ka pretenduar njëri prej tyre.

Ata po ashtu kanë thënë se kanë qëndruar më pak se një orë në Sallsbëri.

Një ditë më parë, presidenti rus, Vladimir Putin ka thënë se shteti i tij ka identifikuar të dyshuarit nga ana e Britanisë, duke pretenduar se ata janë civilë.

“Ata janë civilë, natyrisht”, ka thënë Putin më 12 shtator, duke bërë deklarata kundërthënëse me autoritetet britanike, sipas të cilave ata janë pjesëtarë të Agjencisë së Inteligjencës Ushtarake të Rusisë, (GRU).

Pas deklaratave të Putinit, zëdhënësi i kryeministres britanike, Theresa May ka thënë se tentimet e Britanisë për të marrë ndonjë arsyetim nga Moska lidhur me helmimin janë ndeshur gjithmonë me “gënjeshtra”.

Javën e kaluar, autoritetet britanike kanë njoftuar se kanë akuzuar dy burra rusë, të identifikuar si Aleksandr Petrov dhe Ruslan Boshirov, për helmim të Skripalëve më 4 mars.

Sekretari i Brendshëm britanik, Sajid Javid ka thënë më 9 shtator se Britania do të arrestojë të dy personat nëse ata dalin ndonjëherë nga Rusia.

Ky rast është ndëshkuar me një valë sanksionesh nga Britania, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kundër Rusisë, si dhe me dëbime të personelit diplomatik.

Ky rast ka dëmtuar marrëdhëniet veçse të tensionuara në mes të Rusisë dhe Perëndimit, pasi zyrtarët evropianë akuzojnë Moskën për tentim të shkaktimit të konfliktit në mes të shteteve Perëndimore.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme