Luftërat janë të shtrenjta, dhe populli rus po e mëson këtë tani. Kremlini po zhvillon aventura ushtarake në Ukrainën Lindore dhe Siri, dhe megjithëse këto konflikte janë të kufizuara në fushëveprimin e tyre, ka shumë pikëpyetje nëse vendi mund t’i përballojë realisht ato.
Si ekonomia e 11-të më e madhe në botë, Rusia mund t’i menaxhojë në një periudhë afatshkurtër. Por në terma afatgjatë, është një çështje krejt tjetër. Gjatë viteve 2008-2016, Rusia i rriti shpenzimet e saj ushtarake nga 3.3 për qind e PBB-së – e cila përafërsisht përputhet me nivelin aktual të SHBA-së – në 5.3 për qind, sipas Institutit të Studimit Ndërkombëtar të Paqes në Stokholm.
Sipas statistikave fiskale të vetë qeverisë ruse – të cilat mbeten çuditërisht të hapura për konsultim- shpenzimet e saj civile në Krimenë e pushtuar, janë afro 2 miliardë dollarë në vit. Dhe teksa s’ka të dhëna publike për praninë e saj në Ukrainën Lindore, është e sigurt të supozohet se kostot janë thuajse të njëjta.
Pra i bie që Rusia shpenzon 4 miliard dollarë në vit – 0.3 për qind të PBB-së – vetëm në këto 2 operacione. Megjithatë, përtej shpenzimeve ushtarake, Rusia po përballet gjithashtu me kostot e humbjeve në tregti dhe investime, si dhe shkallëzimin e sanksioneve, të cilat janë mëse të mjaftueshme për ta dëmtuar vendin, dhe mbajtur atë në stanjacion, për sa kohë që zgjasin luftërat e Putinit.
Në korrikun e vitit 2014, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vendosën sanksione mbi sektorin e financave, naftës dhe gazit, si dhe teknologjitë ruse të mbrojtjes, në kundërpërgjigje të agresionit ushtarak në rajonin ukrainas të Donbasit. Deri më tani, këto masa kanë qenë efektive.
Në financat globale, dollari është mbret. Dhe për shkak se çdo dollar kalon nëpër bankat e SHBA-së, transaksionet e dollarit janë në fund të fundit subjekt i juridiksionit të Departamentit Amerikan të Thesarit. Nëpërmjet sanksioneve financiare, SHBA-ja mund të lërë Rusinë pa investime të huaja.
Në gushtin e vitit 2015, Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerësoi se sanksionet perëndimore do të reduktonin menjëherë PBB-në reale të Rusisë me 1-1.5 për qind. Megjithatë, në periudhën afatmesme, FMN arriti në përfundimin se sanksionet “mund të çojnë në një humbje kumulative të prodhimit … deri në 9 përqind të PBB-së, pasi akumulimi i kapitalit dhe transferimet teknologjike, dobësojnë rritjen e produktivitetit”.
Pasi u izoluan nga dollari, korporatat ruse nuk kanë pasur zgjidhje tjetër veçse të paguajnë borxhet. Për pasojë, borxhi i jashtëm total i Rusisë u ul nga 732 miliardë dollarë në qershor 2014 në 519 miliardë dollarë në dhjetor 2015, dhe ka qëndruar nga atëherë pranë atij niveli.
Ngjashëm, rezervat valutore të Rusisë, ranë nga 510 miliardë dollarë në fund të vitit 2013, në një nivel të ulët prej 356 miliardë dollarësh në marsin e vitit 2015. Që atëherë, ato janë rikuperuar në 458 miliardë dollarë, për shkak të sufiçitit të vazhdueshëm dhe të madh të llogarisë korente të Rusisë.
Por gjatë viteve 2015- 2017, investimet e huaja direkte në Rusi, arritën në më pak se 2 për qind të PBB-së në vit, – gati gjysmën e asaj që ishte në vitet paraprake – duke reflektuar jo vetëm uljen e investimeve, por edhe uljen e importeve të teknologjisë.
Pavarësisht gjithë kësaj, Rusia ka arritur të ruajë stabilitetin makroekonomik dhe balancat e jashtme, por ka pësuar një rënie të vogël të prodhimit, dhe një rënie të madhe në standardin e jetesës. Gjatë katër viteve të sanksioneve, nga viti 2014 deri në vitin 2017, të ardhurat reale të disponueshme ranë me 17 për qind dhe investimet me 12 për qind, megjithëse PBB-ja ra me vetëm 0.5 për qind në të njëjtën periudhë.
Ndërkohë, Rusia dhe Ukraina, kanë imponuar përshkallëzimin e sanksioneve tregtare ndaj njëra-tjetrës. Për rrjedhojë, tregtia e tyre reciproke ra me 80 përqind ndërmjet viteve 2012- 2016. Lufta tregtare ka dëmtuar më shumë Ukrainën; por Rusia ka ndërkohë humbur një treg të rëndësishëm eksporti, dhe një burim kryesor të pajisjeve ushtarake të importuara.
Dikur konsumatorja më e rëndësishëm e energjisë ruse, Ukraina nuk ka importuar asnjë sasi gazi natyror nga Rusia që nga nëntori i vitit 2015. Konfiskimet e pasurive nga Rusia në Krime dhe Donbas, kanë qenë gjithashtu të kushtueshme.
Për shembull, në bazë të një traktat dypalësyh të investimeve ukrainase-ruse të vitit 1998, kompanitë ukrainase kanë ngritur të paktën 8 padi kundër Federatës Ruse në Gjykatën e Përhershme të Arbitrazhit në Hagë. Gjigandi energjitik i Ukrainës, Naftogaz dhe filialet e tij,
po kërkojnë 7 miliard dollarë dëmshpërblime, ndërsa Oschadbank, Privatbank dhe Ukrnafta kërkojnë secila nga një kompensim prej 1 miliardë dollarësh.
Një nga gjyqet tashmë është fituar, dhe pjesa tjetër ka të ngjarë të rezultojë po ashtu. Në këtë shkallë, aneksimet e paligjshme të Rusisë, ndoshta do të kushtojnë të paktën 10 miliardë dollarë. Në shkurt, gjykata e arbitrazhit në Stokholmit vendosi që rusja Gazprom duhet t’i japë Naftogaz 2.56 miliardë dollarë dëmshpërblim, për shkelje të një marrëveshjeje të mëparshme midis dy kompanive.
Gazprom ka refuzuar të paguajë, dhe Naftogaz është kundërpërgjigjur duke kërkuar pronësinë e aseteve të saj jashtë vendit. Mospërfillja e Gazprom ndaj një vendimi gjyqësor të arbitrazhit tregtar, mund të rezultojë e kushtueshme. Pa një zgjidhje në horizont të konfliktit në Ukrainë, sanksionet ndoshta do të mbeten në fuqi për një periudhë afat të gjatë.
Ato kanë prirjen të jenë ngjitëse, sepse konfliktet që i nxisin ato, zakonisht shumëfishohen dhe evoluojnë. Për shembull, në prill të këtij viti, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione shtesë, në përgjigje të ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
Këto masa të reja, kanë goditur rëndë rublën ruse dhe tregun e aksioneve. Dhe tani, Kongresi i SHBA-së po udhëheq një ofensivë të re, pas samitit të dyshimtë Putin- Trump në Helsinki këtë verë. Pasi miratoi vitin e kaluar Aktin e Kundërvënies ndaj Kundërshtarëve të Amerikës Përmes Sanksioneve, një koalicion dypartiak i kongresit, do miratojë së shpejti sanksione edhe më të ashpra, që me gjasë do të godasin borxhin sovran rus dhe institucionet e tij financiare shtetërore.
Vetëm kërcënimi i sanksioneve të mëtejshme të Shteteve të Bashkuara, e ka rrënuar tregun rus. Ndërsa norma vjetore e rritjes ekonomike të Rusisë, është e mbërthyer në një shifër anemike prej 1.5 për qind, shpenzimet vjetore civile, ligjore dhe të tjera të lidhura me agresionin ushtarak, janë tani të paktën 3-4 për qind e PBB-së – ose 45-60 miliardë dollarë. Tani për tani, Kremlini mund të jetë ende në kontrollin e situatës. Por herët a vonë, këto kosto në rritje do të kenë pasoja politike serioze.
Shënim: Anders Aslund, është anëtar në think-tankun “Atlantic Council” në Uashington. Ai është autori i librit “Ukrainë:Çfarë shkoi keq, dhe si të ndreqet”. Libri i tij i ardhshëm titullohet “Kapitalizmi nepotik i Rusisë”./bota.al/
Vdes pjesëtarja e Policisë së Kosovës, Mevlude Hajdari
Arteta tregon gjendjen e Kai Havertzit pas goditjes që mori ...
Plagoset më armë zjarri një person në Prishtinë
Vidhet një pushkë gjuetie me leje në Podujevë
E rëndë, ky është 21 vjeçari nga Vushtrria që vdiq tragjikis...
Përplasja e dy makinave i mori jetën të miturit në trotuar, ...