Google ADS

Kërkohet që protestat të mbahen sa më shpejt

20:38 | 12 Shtator 2018
V. S.

Partitë më të mëdha opozitare të vendit, LDK, LVV, PSD dhe Alternativa, gjatë ditës së sotme i kanë dërguar letër të hapur Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherinit, raporton “Zeri.info”.

Në këtë letër dërguar Mogherinit, opozita ka shprehur kundërshtimin e saj në lidhje me idenë e presidentit Hashim Thaçi, për korrigjimin e kufijve si dhe kanë kundërshtuar edhe vet presidentin si prijës të fazës finale të dialogut me Serbinë.

Pas dërgimit të kësaj letre, deputeti Korab Sejdiu, ka publikuar letrën e plotë në profilin e tij zyrtar në rrjetin social “Facebook”, ku edhe ka bërë thirrje për protestë.

Në një prononcim për “Zeri.info”, Sejdiu ka thënë se ka bërë thirrje për protestë, pasi që sipas tij, është koha e fundit që duhet të parandalohet kjo e keqe që po i ndodh Kosovës.

Ai po ashtu ka bërë të ditur për “Zeri.info”, se u ka dërguar një letër kryetarëve të dy partive më të mëdha opozitare, pra Avdullah Hotit dhe Albin Kurtit, në të cilën ka dhënë arsyet përse duhet të protestohet.

“Në letrën që i kam dërguar kryetarëve të dy partive më të mëdha opozitare në Kuvend i kom shpjegua arsyet pse edhe për çfarë arsye mendoj që këto protesta tash e tutje janë e vetmja mënyrë për me heq të keqen prej Kosovës”, ka deklaruar Sejdiu për “Zerin”.

Tutje Sejdiu ka thënë se këto protesta duhet të mbahen sa më parë që është e mundur.

“Tu e pas parasysh se pothuajse çdo institucion i shtetit është i zaptuar edhe i bllokuar nga njerëz që janë duke e dëmtuar Kosovën në baza ditore atëherë nuk guxojmë assesi të vonohemi me shprehjen e vullnetit të qytetarëve për ndryshim të madh në Kosovë. Kështu që sa ma herët që fillojnë protestat aq më mirë është Kosovën dhe qytetarët e saj”, ka deklaruar Sejdiu. /ZËRI/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme