Ministri Tahiri flet për Vetting: Tash për tash të fuqizohet zbatimi i ligjit

20:04 | 12 Shtator 2018
Arbresh.info

Vitin e kaluar në mbledhjen e mbajtur nga Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, ishte kërkuar që të ketë proces të Vettingut në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Një sistem i tillë u kërkua edhe këtë vit, pas dorëheqjes së prokurorit të Prokurorisë Speciale Elez Blakajt, ku shoqëria civile kishte nisur  protestat duke kërkuar shkarkimin e kryeprokurorit Aleksandër Lumezi dhe një Vetting për gjyqësorin në vend.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri në një përgjigje dhënë për lajmi.net ka thënë se Vettingun e sheh si alternativë, por më të arsyeshme e sheh që taash për tash të fuqizohet zbatimi i ligjit në vend.

“Vettingu është alternativë për çdo periudhë kur vlerësohet se shumë hallka të integritetit të sistemit nuk janë duke funksionuar si pasojë e keqadministrimit. Tash për tash, institucionet tona duhet të fuqizojnë zbatimin e ligjit si domosdoshmëri”, ka thënë Tahiri.

Tutje, ministri thotë se duke u bazuar në Rishikimin Funksional të Sektorit të Sundimit të ligjit do të vlerësohet se a është e mjaftueshme që Vettingu të ndodh vetëm një herë apo edhe më shumë.

“Në kuadër të Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të ligjit, po shqyrtojmë formulën se në çfarë rrethanash një Vetting do të ishte zgjidhje dhe se a është e mjaftueshme që një proces i tillë të ndodhë një herë apo të kemi një sistem periodik të sigurimit të integritetit të sektorit të drejtësisë. Pra është procesi i Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të ligjit që do të na diktojë pozicionimin tonë institucional ndaj kësaj teme dhe do të gjenerojë formulën se si duhet të veprojë Republika e Kosovës ndaj Vettingut si alternativë”, ka thënë ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme