Meta: Në bisedimet me Serbinë përgjegjësi të marrin edhe partitë opozitare

17:43 | 12 Shtator 2018
M. A.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli është pritur në Tiranë nga presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, të cilin e ka informuar për zhvillimet politike në vend dhe për fazën finale të dialogut me Serbinë. Meta ndërkohë ka kërkuar unitet politik dhe përfshirje të opozitës në dialogun me Serbinë.

Me këtë rast, kryeparlamentari Veseli ka shprehur qëndrimin e Republikës së Kosovës se në fazën finale të dialogut me Serbinë vendi ynë synon njohjen e pavarësisë nga Serbia dhe hapjen e rrugës për anëtarësim në OKB, NATO, BE dhe organizatat tjera ndërkombëtare.

Veseli theksoi se në këtë proces Institucionet e Kosovës duhet të jenë të unifikuara dhe të ketë konsensus të gjerë nga forcat politike parlamentare. Ai tha se integriteti dhe sovraniteti i Kosovës janë të pacenuar dhe të panegociuara.

Në këtë takim, kryeparlamentari Veseli ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministrat Fatmir Limaj e Dardan Gashi, të cilët po ashtu theksuan nevojën e arritjes së konsensusit të brendshëm për fazën finale të dialogut.

Presidenti Ilir Meta tha se Shqipëria po ndjek nga afër këtë proces dhe do të jetë e gatshme ta ndihmojë Kosovën në të gjitha fazat. Ai tha se në procesin e dialogut, shteti i Kosovës duhet të ketë konsensus të gjerë politik dhe se partitë opozitare duhet të marrin përgjegjësitë që u takojnë dhe të gjithë së bashku të ndërtojnë platformë shtetërore dhe ekip për dialogun.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme