Ideja e përbashkët e Hashim Thaçit me Aleksandar Vuçiqin për shkëmbimin e territoreve në mes të Serbisë dhe Kosovës, po kundërshtohet edhe nga vetë partia që Thaçi e themeloi, Partia Demokratike e Kosovës. Kundër ndryshimit të kufijve kanë folur Kadri Veseli, Enver Hoxhaj, Xhavit Haliti e Arsim Bajrami. Deri tani kundër Thaçit kanë dalë edhe partitë tjera, përfshirë LDK-në, Nismën e Fatmir Limaj si dhe shefi i Qeverisë Ramush Haradinaj bashkë me të vëllanë deputetin Daut Haradinaj.
Mesazhe të qarta kanë dhënë zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës kundër idesë së Presidentit Hashim Thaçi për shkëmbim territoresh në mes Kosovës dhe Serbisë, shkruan Gazeta Express.
Dy ditë radhazi, kryetari i PDK-së dhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ka thënë se Kosova nuk ka pretendime territoriale ndaj askujt dhe sovraniteti i saj nuk do të preket.
“Kosova është shtet i pavarur e sovran, askush nuk mund ta dëmtojë Kosovën, askush nuk mund ta ndajë Kosovën, askush nuk mund të ndërtojë Republika Srpska në të, nëse ne populli i Kosovës, përfaqësuesit politikë, jemi bashkë, pozitë e opozitë”, ka thënë Veseli gjatë një vizite zyrtare në Tiranë, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrat Fatmir Limaj dhe Dardan Gashi.
Edhe zëvendëskryeministri dhe nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, i dha dje një goditje idesë së Thaçit për shkëmbim territoresh.
Zëvendëskryeministri Hoxhaj në një panel për Ballkanin Perëndimor në Forumin Strategjik të Bledit që është moderuar nga gazetari Tim Judah, është pyetur nëse do të ndryshojë flamuri i Kosovës pas bisedimeve Kosovë –Serbi dhe nëse do të pranonte që Veriu i Kosovës t’i takojë Serbisë dhe Lugina e Preshevës Kosovës.
Duke u përgjigjur Hoxhaj tha “nuk do të ndryshojë as flamuri e as territori i vendit”.
Ai ka thënë se Kosova do të angazhohet që ta konsolidojë shtetësinë në kufijtë aktualë.
Edhe dy nënkryetarët e kësaj partie, Arsim Bajrami dhe Xhavit Haliti kanë shprehur qëndrimin e tyre kësaj ideje, siç thotë Bajrami “zhurmë me tregti territoresh”.
Nënkryetari i PDK-së, Arsim Bajrami, ka thënë se Hashim Thaçi është i vetëdijshëm që një gjë e tillë është e pamundur, duke thënë se ideja për shkëmbim ka një qëllim të fshehtë.
“Vlerësoj se e tërë kjo zhurma me tregti territoresh, me shkëmbim territoresh mendoj që është krejtësisht i pamundshëm në procesin e negociatave. Por mendoj se ka një qëllim tjetër krejtësisht të padukshëm – qëllimi është të krijohet një asociacion me kompetenca ekzekutive”, tha Bajrami dje në Info Magazine.
E Xhavit Haliti, gjithashtu, nënkryetar i PDK-së dhe nënkryetar i Kuvendit, para një muaji ka dhënë qëndrimin kundër kësaj ideje.
Haliti ka thënë se kufijtë e Kosovës janë të garantuar duke përmendur GjND, Pakon e Ahtisaarit, marrëveshjen e Kumanovës dhe kufijtë e Kosovës për të treguar se kufijtë janë të garantuar që nga viti 1974.
Ai ka thënë se nëse dikush tentoi të bëjë pazare me territorin e Kosovës, do të ishte gabim fatal.
“Nëse Kosova bën pazare në kundërshtim me gjithë këta faktorë që e garantojnë pavarësinë e saj do ishte gabim fatal. Pavarësinë e kufijtë e Kosovës ushtarakisht i garanton NATO, politikisht të gjitha vendet që e kanë njohur pavarësinë me kufijtë aktualë”, ka deklaruar ai.
Hamza: Diaspora është forca dhe potenciali, me të Kosova mun...
Osmani vazhdon traditën e takimit me delegacionin bipartizan...
Gjesti tregon pse dyshon Anisa se i ka hedh kunja në një kën...
Të korra me inteligjencë artificiale, teknologjia e re që po...
Kryediplomati i ardhshëm amerikan, Marco Rubio dhe politika ...
Albin Kurti takon Lorik Canën: Vlerësuam rëndësinë e masiviz...