Një avion i linjës ajrore “Air Serbia”, me itinerar nga Tirana drejt Beogradit që është nisur mëngjesin e kësaj të mërkure në orën 4:35, nuk ka mundur të mbërrijë në kryeqytetin serb, por ka devijuar fluturimin përkohësisht në Rumani.
Shkak është bërë mbyllja e përkohshme e Aeroportit “Nikola Tesla” në Beograd, si pasojë e disa problemeve teknike të një avioni të kompanisë “Egypt Air”.
Lajmi konfirmohet nga autoriteti aeroportual serb, që sqaroi se avioni “Boeing 737-800” zbriti pa pasagjerë në orën 4:11 në aeroportin e kryeqytetit serb. Avioni mbeti i ndalur në pistë për shkak të problemeve teknike.
Disa ekspertë teknikë kanë ndërhyrë sipas procedurave të parashikuara në të tilla raste. Të gjithë avionët e linjës serbe “Air Serbia” janë devijuar nëpër aeroporte të ndryshme të rajonit.
Fluturimet nga Tirana e Athina u devijuan në Timisoara të Rumanisë; ato nga Nju Jorku në Zagreb të Kroacisë; nga Bejruti në Sofje të Bullgarisë; ndërsa fluturimet nga Larnaka (Qipro), Selaniku, Shkupi dhe Bukureshti drejt Nishit. Drejt Timisoarës janë devijuar edhe fluturimet nga Abu Dhabi, ndërsa në Budapest u dërgua fluturimi i mëngjesit nga Hurghada.
Ndërkohë, të gjithë ata që kishin planifikuar nisjen nga Beogradi për në destinacione të tjera do të informohen nga autoriteti aeroportual në vend.
“1432 Engjëj” vjen nga Shkurte Fejza dhe Besiana Behluli
Edhe presidenti i Italisë uron 17-vjetorin e Pavarësisë së K...
Kurti jep detaje rreth takimeve që pati në Konferencën e Sig...
BBC: Evropa ka dërguar më shumë ndihmë në Ukrainë se sa SHBA
Adrola Dushi, më e ëmbël se rrushi
Agjenda e aktiviteteve për shënimin e 17-vjetorit të Pavarës...