Google ADS

Rritja e trendit të jetëgjatësisë në Evropë rrezikohet nga obeziteti

10:40 | 12 Shtator 2018
Arbresh.info
Jetëgjatësia në Evropë vazhdon të rritet, mirëpo obeziteti dhe rritja e numrit të personave që vuajnë nga mbipesha rrezikon përmbysjen e këtij trendi, ka paralajmëruar Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Në raportin e fundit të kësaj Organizate, që mbulon 53 shtete nga Atlantiku në Paqësor, agjencia e Kombeve të Bashkuara ka gjetur se, mirëqenia ka shënuar kulmin në botë, mirëpo ka dallime të theksuara brenda rajoneve.

Mesatarja e jetëgjatësisë është rritur nga 76.7 vjet më 2010 në 77.8 më 2015. Gratë vazhdojnë të jetojnë më gjatë, përkatësisht 81.1 vjet në krahasim me 74.6 vjet për burrat.

Mirëpo shifrat kanë dallime të mëdha në mes të shteteve.

Burrat jetojnë pothuajse 16 vjet më gjatë në Islandë (81.4 vjet) sesa në Kazakistan (65.7 vjet).

“Përparimi nuk është i njëjtë, qoftë brenda apo në mes të shteteve, gjinive dhe gjeneratave”, ka thënë udhëheqësja e OBSH-së për Evropë, Zsuzsanna Jakab.

Vdekjet e parakohshme nga kanceri, diabeti, dhe sëmundjet respiratore dhe ato kardiovaskulare janë duke rënë, derisa është thënë se ky rajon pritet të arrijë objektivin e 1.5 përqind të zvogëlimit të rasteve të prekura me këto sëmundje deri më 2020.

Pavarësisht shifrave në rënie të vdekjeve si pasojë e këtyre sëmundjeve, në vendet e Bashkimit Evropian është parë një rritje prej 5 përqind e personave që janë diagnostikuar me kancer.

Në raportin e OBSH-së, i cili publikohet çdo tri vjet, është shtuar një tjetër faktor subjektiv, lumuria në jetë.

Të pyetur se sa janë të kënaqur njerëzit me jetën e tyre këto ditë nga 1 deri në 10, mesatarja në Evropë ka rezultuar me 5.9.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme