Google ADS

Zgjedhjet në Suedi: Vendi liberal merr kthesën drejt së djathtës

18:50 | 10 Shtator 2018
Arbresh.info

Në Suedi u mbajtën këtë të diel zgjedhjet parlamentare. Rezultatet paraprake tregojnë se një ndër vendet më liberale të Evropës po merr një kthesë të vendosur drejt së djathtës.

Partia Demokratët e Suedisë, e cila kërkon ndalimin e emigracionit dhe largimin e vendit nga Bashkimi Evropian, duket se do të jetë partia e tretë më e madhe në parlament.

Me shumicën e votave të numëruara, partia e qendrës së majtë në pushtet, Partia Social-Demokrate, mori 28% të votave, të ndjekur nga të Moderuarit me 19% dhe nacionalistët Demokratët e Suedisë me pothuajse 18%.

Udhëheqësi i Demokratëve të Suedisë, Jimmie Akesson, deklaroi fitoren.

‘Jam i gatshëm të bisedoj me të gjitha partitë e tjera, të negocioj dhe të bashkëpunoj me ta. Ftoj në veçanti Ulf Kristersson të bisedojmë rreth mënyrës se si do të qeveriset Suedia në të ardhmen’, deklaroi zoti Akesson.

Ulf Kristersson, udhëheqës i partisë opozitare të Moderuarit, i bëri thirrje Kryeministrit Stefan Lofven të dorëhiqet, pasi partia në pushtet është ezauruar.

Por, Kryeministri Lofven refuzoi kërkesat për dorëheqje dhe u bëri thirrje bashkëqytetarëve t’i bëjnë rezistencë partisë që ai e akuzon për fanatizëm dhe urrejtje.

‘Të gjitha forcat e mira kanë një përgjegjësi morale; të gjithë që kanë bindjen e fortë për të drejtat dhe vlerat e barabarta të njerëzve – do të bashkojmë të gjitha forcat e së mirës, do të rezistojmë dhe do të dëshmojmë se është e mundshme një tjetër lloj shoqërie. Do të veprojmë si gjithnjë. Miq të dashur, ne nuk brengosemi, ne organizohemi’, deklaroi Kryeministri Lofven.

Anketuesit thonë se popullariteti në rritje i Demokratëve të Suedisë, një parti me rrënjë tek ekstremi neo-nazist, mund t’i mundësojë këtij grupi të së djathtës ekstreme fuqinë e vetos se kush do të formojë qeverinë e re.

Ashtu si pjesa më e madhe e Evropës, Suedia është përfshirë nga fluksi i azilkërkuesve, të cilët i largohen kryesisht Lindjes së Mesme, Azisë së Jugut dhe Afrikës.

Rreth 163 mijë azilkërkuesit e vitit 2015 që mbërritën deri në Suedi, polarizuan votuesit dhe prishën konsensusin politik.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme