Skandalet e vazhdueshme, mungesa e zhvillimit ekonomik dhe numri i madh i (sidomos i zëvendësministrave) kabinetit qeveritar, kanë qenë karakteristikat kryesore të Qeverisë së drejtuar nga Ramush Haradinaj, në njëvjetorin e punës së saj.
Kështu së paku vlerësojnë përfaqësuesit e partive më të mëdha opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (VV).
Deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se Qeveria e drejtuar nga Haradinaj është Qeveria më e brishtë që ka pasur Kosova ndonjëherë.
Ai ka thënë për Telegrafin se koalicioni qeverisës është buzë ekzistencës së tij, duke shtuar se të metat dhe problemet e këtij koalicioni qeverisës po i vërejnë edhe qytetarët, çdo ditë e më tepër.
“Nuk ka zhvillim ekonomik, nuk ka as investime. Në anën tjetër ka vendime skandaloze, si shembull: rritja e pagave për qeveritarët. Numri shumë i madh i zëvendësministrave, ku i kemi gati 100 zëvendësministra të emëruar; vendimi për Bechtel Enka–n; ndërhyrjet dhe emërimet politike nëpër bordet e ndërmarrjeve publike. Mund të themi se flasim për një qeveri shpenzuese”, ka shtuar Beqiri.
Për më tepër sipas tij, koalicioni qeverisës nuk e ka as shumicën shqiptare.
“Varen plotësisht nga votat e komuniteteve, e me theks të veçantë nga votat e ‘Listës Serbe’”, ka theksuar Beqiri.
Deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu ka theksuar se Haradinajt nuk i është dashur një vit qeverisjeje për ta parë se sa skandale mund të prodhojë.
Ajo në një prononcim për Telegrafin ka thënë se mënyra se si është krijuar Qeveria Haradinaj dhe pazaret me Listën Serbe, kanë qenë sipas saj, tregues i qartë i keqqeverisjes.
“Gjatë këtij njëvjeçari nuk mbahet mend ndonjë vendim i mirë i kësaj Qeverie, përkundrazi mbahet mend për skandalet e vazhdueshme që nga numri i madh i ministrive e deri tek numri i madh i zëvendësministrave dhe këshilltarëve të tyre, me qëllim të akomodimit të interesave meskine, por po ashtu njihet për vendimin skandaloz e të paligjshëm për rritjen e pagave për vete e për lluksin e tepruar”, ka shtuar Haxhiu.
Më tutje ajo ka thënë se në mesin e skandaleve mund të numërohen: falja e borxheve të ndërmarrjeve të papërgjegjshme, ndryshimin e qëndrimit për demarkacionin me Malin e Zi dhe ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, pas kësaj edhe mashtrimi me liberalizimin e vizave, dhënia e 53 milionë eurove për Bechtel – Enkën paligjshëm, e skandale të tjera të panumërta.
“Kosova dhe qytetarët janë në rrezik nga vendimet e dëmshme të kësaj Qeverie, andaj është jetike të angazhohemi për ta hequr sa më parë”, ka shtuar Haxhiu.
Ndryshe, dy ditë më parë janë bërë një vit që nga dita kur është votuar Qeveria Haradinaj. Në këtë rrugëtim njëvjeçar jeta politike në Kosovë ka qenë e karakterizuar me ngjarje të vazhdueshme dhe të rëndësishme politike, ekonomike dhe sociale. /Telegrafi/
Dafina Zeqiri sjell këngën e re “Tranquilo”
Vazhdon përplasja me Xuxin, rikthehet historia e prindërve t...
U paraqitën si kosovarë në Angli, Rama u premton regjistrimi...
Kurti mori pjesë në varrimin e ish-ushtarit të UÇK-së, Behgj...
Arrestohen tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u sh...
Në zonën 60 km/h voziti 117 km/h, policia shqipto gjobë prej...