Bahtiri: Fjalimi i Vuçiq më luftënxitës se ai i Millosheviq në Gazimestan më 1989

16:30 | 9 Shtator 2018
V. S.

Kryetari i Mitrovicës Veriore, Agim Bahtiri ka deklaruar se fjalimi i sotëm dhe i djeshëm i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq është më luftënxitës se ai i Sllobodan Millosheviq në Gazimestan më 1989.

Përmes një postimi ne facebook, Bahtiri  tutje ka thënë se vizita e Vuçiq në Kosovë është dashur të ndalohej nga Qeveria e Kosovës për të parandaluar sipas tij tensionet e planifikuara.

Postimi i plotë.

Fjalimi i sotëm i presidentit serb në pjesën veriore të Mitrovicës dhe ai i djeshmi te liqeni i Ujmanit, ishin mesazhe të papranueshme dhe luftënxitëse. Nëse e marrim për bazë kontekstin kohor, ky fjalim mund të cilësohet edhe më i keq dhe luftënxitës, se sa ai i mbajtur nga Sllobodan Millosheviqi në vitin 1989 në Gazimestan.

Mirëpo, për krejt këto tensione që i shkaktoi Vuçiqi me provokime në veri dhe veçanërisht me vizitën provokuese të paralajmëruar në Drenicë, ai nuk është fajtori kryesor, por janë institucionet e Republikës së Kosovës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po pretendon se Vuçiqi është paqësor dhe me të mund ta zgjidh në mënyrë paqësore problemi e Kosovës me Serbinë, po kjo vizitë dhe fjalimet e tij e dëshmojnë të kundërtën, atë se Vuçiqi nuk e dëshiron paqen, por tensionet.

Në një shtet ku funksionon rendi kushtetues, vizita Vuçiqit ishte dashur t’i ndërprehet dje për shkak të tensioneve të planifikuara që ai i ka shkaktuar në Kosovë, veçanërisht pas vizitave te resurset më të mëdha të Kosovës, të cilat ai tha se dëshiron t’i vendos në tavolinën e bisedimeve në Bruksel.

Institucionet e Kosovës nuk duhet t’u lëshojnë leje për vizita politikanëve serb, nëse nuk ka garanci se do të respektohet rendi ligjor dhe paqja në Kosovë.

Kjo ishte e tepërt, Kosova dhe veçanërisht Mitrovica nuk mund të duroj më./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme