Tmerri që Europa dhe bota pa teksa kjo dramë po shpalosej, si në teatër, i kombinuar me mosvëmendjen e nevojshme ndaj Bosnjës, që u kthye në kasaphane, bëri që kur radha i erdhi Kosovës, ta dinin çka Millosheviq kishte në plan.
Ndaj, liderët europianë, bashkë me presidentin amerikan Bill Clinton, bënë ç’mundën që repriza e atij mbi-krimi të mos luhej në Kosovë.
Klan Kosova ka siguruar transkriptat e bisedave të presidentit amerikan Clinton me atë rus Boris Yeltsin, ku tregohen prapaskenat e zhvillimeve që lidhen me triumfin e paqes – çlirimin e Kosovës.
Në serië e parë të publikimeve treguam si Sllobodan Millosheviq arriti t’i mashtrojë të dy, Clinton-in dhe Yeltsin-in, dhe të vazhdojë me shtypjen e shqiptarëve të Kosovës.
Ndërsa ky i radhës qartëson kundërshtimin e presidentit rus dhe insistimin e atij amerikan për një fushatë bombardimesh, teksa të dy mundoeshin t’i ruajnë raportet e ndërtuara me shumë mund mes dy vendeve.
Clinton: Përshëndetje Boris.
Yeltsin: Po, përshëndetje Bill.
Clinton: Falemnderit që pranove thirrjen time. Sot dua të bisedoj me ty për situatën në Serbi dhe Kosovë. E di që je i informuar se Jacques Chirac, Tony Blair, Gerhard Schroeder dhe liderët tjerë europianë kanë vendosur për sulme ajrore ndaj caqeve ushtarake në Serbi. Njerëzit e mi kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me tutë tash e disa ditë, duke u përpjekur që të flasim hapur për situatën atje dhe atë që duhet të bëjmë. Por siç e di edhe ti, Millosheviq e ka bllokuar negociatorin tuaj dhe Holbrooke-un, ndërsa ka vazhduar t’i dislokojë forcat ushtarake në Kosovë duke shpërngulur fshatra të tëra. Ai nuk na ka lënë zgjidhje tjetër. E di që ti je kundër kësaj që po bëjmë, por dua ta dish që jam i vendosur të bëj gjithçka mundem që ta pengoj mosmarrëveshjen tonë për këtë çështje ta shkatërroj gjithçka kemi arritur dhe mund të arrijmë në vitet e ardhshme.
Yeltsin: Kam frikë se nuk do të kemi sukses. Nëse e bën këtë gjë (nuk dëgjohet). Sepse ajo që duhej të ndodhte ishin bisedimet politike, sërish dhe sërish dhe sërish, në vend të bombardimit dhe shkatërrimit. Primakov është hapi i parë…(nuk dëgjohet). Ne kemi shumë hapa për të ndërmarrë kundër vendimit tuaj – ndoshta hapa të papranueshëm, madje.
Clinton: Boris, më lër ta them këtë gjë. Kam bërë gjithçka kam mundur, bashkë me ty, që të negociojmë me Millosheviqin. Ai bëri marrëveshje vjeshtën e shkuar dhe konflikti pushoi për një kohë, por pastaj ai e shkeli atë. Ai marshoi 40 mijë trupa në Kosovë bashkë me gati 300 tankse, në Kosovë dhe kufij, me të cilat po shkatërron njerëz dhe fshatrat e tyre sërish. Ai nuk do t’i japë fund dhunës dhe kjo do të thotë që ai do ta bëjë një Bosnje të re, ndaj ne nuk mund të rrijmë pa bërë asgjë dhe të themi se kjo është fatkeqësi. Të mbetet ty të vendosësh nëse do ta lejosh këtë njeri ta shkatërrojë marrëdhënien tonë, për ndërtimin e të cilës kemi punuar fort për gjashtë vjet e gjysmë. Unë të kam ndhmuar kur Rusia ka pasur probleme eknomike. Isha atje vjeshtën e shkuar. Isha atje më 1996, kur shumë njerëz më thonin se nuk duhej të shkoja. Ti mund ta lejosh atë ta prishë marrëdhënien tonë, por unë jo, sepse nuk mendoj se ai është i rëndësishëm. Dhe unë nuk do të qëndorj duarkryq teksa Europa më kërkon ndihmë për ta shmangur një tjetër Bosnje. Ai i shndërroi në refugjatë 2.5 milionë njerëz të atij vendi, ndërsa nga Kosova janë 250 mijë, ndaj nuk do ta lejoj t’i bëjë edhe 2 milionë të tjerë. Më vjen keq që është serb. Do të doja të ishte irlandez, apo diçka tjetër, por nuk është i tillë. Ai vazhdimisht ka refuzuar të heqë dorë nga agresioni. Ai nuk është aq i rëndësishëm sa të na e shkatërrojë marrëdhënien mes SHBA-së dhe Rusisë, dhe të gjithë aleatëve tanë europianë. Nuk ia vlen.
Ai ka ndjekur nga shtëpitë e tyre 30 mijë njerëz veç që prej të premtes së shkuar. Ai po vret njerëz të pafajshëm. Kemi raportime për ekzekutime masive. Ai u ka thënë rusëve, BE-së dhe negociatorëve amerikanë se nuk ia ndjen për asnjërin prej nesh. Nëse nuk bëjmë diçka do të na ndodhë një tjetër Bosnje. Patëm një marrëveshje paqeje në Rambuje. Askush nuk deshi t’ia merrte tokën, pronën, por ai do t’i shtypë ushtarakisht. Mendoj se duhet të bëjmë diçka lidhur me këtë gjë, por nuk mendoj se kjo duhet të pengojë çështje më me rëndësi si tentimi për ta forcuar Rusinë ekonomikisht, politikisht, dhe për t’i dhënë rol pozitiv, si dhe për reduktim të armëve bërthamore nga dy shtetet tona. Këto gjëra kanë më shumë rëndësi se Millosheviqi. Por nëse e lejojmë ta destabilizojë Ballkanin, me atë do të merremi në dy vjetët e ardhshme.
Yeltsin: Po Bill, edhe mua më vjen keq për këtë gjë. Jemi munduar për kaq kohë ta ndihmojmë njëri-tjetrin. Kemi bërë goxha punë. Kam arritur marrëveshje me Dumën për paketën START II, dhe më 6 prill pritej ta ratifikonin atë marrëveshje. Por kjo gjë nuk do të ndodhë, marrë parasysh rrethanat e krijuara. Është e lehtë të hedhësh bomba. Por ta kërkosh zgjidhjen politike afatgjatë, një zgjidhje konstruktive, është tjetër gjë. Kjo është e vetmja rrugë e drejtë. Nëse bashkohemi, mund ta pengojmë Millosheviqin. Parlamenti i tyre mori disa vendime të mira dje.
Clinton: Më lejo të të them se mendoj që nuk duhet të heqim dorë nga diplomacia. Pas asaj çka (ndërhyn Yeltsin)
Yeltsin: Natyrisht që unë dhe ti do të flasim prapë. Por nuk do ta kemi miqësinë që e kemi pasur. Ajo nuk do të ekzistojë më.
Clinton: Problemi është Boris, a e di çfarë ndodhi në Bosnje. Pasi e kërcënuam me sulme ajrore dhe humbi disa beteja tokësore me kroatët ai vendosi të bisedojë. Por tani ai do që të ketë bisedime vetëm sepse teksa ato ndodhin ai e vazhdon pushtimin e tij, në kundërshtim të kushtetutës dhe marrëveshjes së arritur. Si mund të bisedosh me dikë teksa ai shpërngul fshatra dhe nuk e ka për qëllim të ndalet – por është i gëzuar të të presë dhe të të shërbej me çaj, teksa bën tjetër gjë. Prandaj europianë te mbështesin këtë sulm akoma më shumë se ne. Ata kanë makthe nga Bosnja, nga jostabiliteti dhe problemet që nga Kosova mund të shpërndahen në Maqedoni dhe Shqipëri, duke zaptuar kështu krejt pjesën jugore. Ata janë të shqetësuar. Dhe kanë të drejtë të jenë të shqetësuar. Mendoj që duhet ta kryejmë këtë raund të parë sulmesh dhe pastaj të flasim. Pastaj ndoshta Millosheviqi do të na dëgjojë.
Yeltsin: Por është e patolerueshme të merren veprime vetëm për shkak të pozicionit të një personi. Është e patolerueshme për qindra mijëra njerëzit që do të vuajnë dhe vdesin. Nuk mund të marrim veprime vetëm për shkak të fjalëve të tij, pozicionit dhe veprimeve të tij. Ai duhet të rrethohet nga njerëz që e drejtojnë situatën si duhet, ashtu që atij t’i bëhet e pamundshme të sillet në këtë mënyrë. Shërbimet e inteligjencës duhet të luajnë rolin e tyre në këtë rast.
Clinton: Po të mendoja se kjo është e vërtetë do të ishte e mrekullueshme, por e vërteta është se ai ka zhvendosur 25 mijë – 30 mijë njerëz veç javën e shkuar.
Yeltsin: Në emër të të ardhmes tonë, në emër të mua dhe ty, në emër të të ardhme të dy shteteve tona, të sigurisë së Europës, të kërkoj ta ndalësh atë sulm dhe të sugjeroj të takohemi diku dhe ta zhvillojmë një vijë taktike të luftës ndaj Millosheviqit – ndaj atij personalisht. Ne jemi më të mençur, më me përvojë dhe mund të gjejmë zgjidhje. Kjo duhet të ndodhë për hir të marrëdhënies tonë. Kjo duhet të ndodhë për hir të paqes në Europë. Nuk dihet kush do të vijë pas nesh dhe cili do të jetë shtegu kah zhvillimet e të ardhmes për armët bërthamore. Por dihet ajo që do të ndodhë derisa ne të dy jemi në pushtet, spse ne kemi vendosur për ta zvogëluar dhe zvogëluar dhe zvogëluar numrin e tyre.
Clinton: Boris, unë dua të punoj me ty për t’i dhënë fund kësaj, por nuk mendoj se ka mundësi për ta ndalur këtë raund të parë të sulmeve sepse Millosheviqi vazhdon t’i shpërngulë mijëra njerëz përditë. Mendoj se disa nga njerëzit tanë mund të punojnë së bashku në ditët e ardhshme për t’u munduar që t’ia ndërrojnë mendjen. Nuk dua që ky të jetë burim i një ftohje raportesh mes Rusisë dhe Europës dhe Rusisë dhe SHBA-së. Kemi punuar shumë. Ka edhe shumë gjëra në ekonomi dhe politikë të cilat duhet t’i bëjmë.
Nuk mund të besoja se pasi e arritëm marrëveshjen me shqiptarët e Kosovës që ai jo vetëm do të refuzonte ta nënshkruante, por të hynte në territorin e tyre. Mirëpo kjo gjë ndodhi. Ajo që do të ndodhë në ditët e ardhshme është e qartë. Shpresoj se do të mbesim në kontakt për të gjetur zgjidhje diplomatike. Mendoj se ti e di çfarë duhet bërë për ta gjetur këtë zgjidhje. Ndoshta pas raundit të parë të sulmeve ai do të jetë i gatshëm t’ia japë një mundësi diplomacisë. Madeleine është e gatshmë që të punojë me Ivanovin dhe Grupin e Kontaktit. Duhet t’i mendojmë disa lëvizje, sikur në shah. Tani është koha që të bëhemi bashkë dhe ta zgjidhim këtë çështje, por unë nuk mund të dal kundër qëndrimit të unifikuar të europianëve, si edhe kundër vetes, ngaqë besoj se ky njeri nuk do t’i ndalë veprimet ushtarake pa u penguar nga dikush. Millosheviqi është akoma diktator komunist dhe do të donte ta prishte marrëdhënien që Rusia, SHBA-ja dhe Europa kanë, dhe ta pengonte lëvizjen e krejt rajonit tuaj drejt demokracisë – për t’u kthyer tek aleancat etnike. Nuk mund ta lejojmë atë të na e diktojë të ardhmen.
E di që ky është problem politik në shtetin tënd, dhe do të bëj gjithçka mundem për ta bërë këtë gjë sa më mirë. Do të jepja gjithçka që të mos kisha nevojë ta bëja këtë telefonatë sot, por nuk ka tjetër zgjidhje. Shpresoj që nuk do ta lejojmë këtë gjë t’i shkatërrojë gjërat tjera më të mëdha.
Yeltsin: Mendoj se tani duhet të punojmë që të gjejmë mënyra për të shpëtuar atë që kemi arritur të ndërtojmë për këto vite. Por njerëzit tanë do të kenë perceptim të keq për Amerikën dhe NATO-n. E disa a të vështirë e kam pasur t’i kthej kokat e njerëzve dhe të politikanëve kah Perëndimi, kah SHBA-ja, por kam arritur ta bëj këtë gjë, dhe tani ta humbas atë. Pasi nuk arrita ta bind presidentin, kjo do të thotë që na pret një shteg i vështirë kontaktesh, nëse ato janë fare të mundshme. Mirupafshim.
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...