Presidenti Thaçi asnjë fjalë për vizitën e Vuçiq, thotë se komunat serbe në veri u dhuruan nga një antishqiptar

16:51 | 8 Shtator 2018
Arbresh.info

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shkruar në profilin e tij në Facebook pak pasi kryeministri serb Vuçiq ka përfunduar vizitën e tij në Gazivodë.

Në asnjë rresht të vetëm Thaçi nuk ka komentuar fjalimin dhe vizitën e presidentit serb.

Madje ai ka nisur të heqë dorë nga Veriu i Kosovës, të cilin e konsideron dhuratë të Aleksander Rankovicit, njëri prej pushtetarëve serb në kohën e Titos që ka bërë krime të rënda ndaj shqiptarëve.

Pas një debati televiziv ku tha se një pjesë të Veriut të Kosovës i ishte bashkuar Kosovës në vitet e 50 nga Rankovic, të njëjtën, Thaçi e ka përsëritur në një shkrim në FB.

Aty, ka thënë se s’duhet ë mbesim rob të dhuratave të Rankoviqit por të marrim Luginën e Preshevës në kuadër të Marrëveshjes Finale me Serbinë.

“Vullneti i shprehur i qytetarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës më 1 dhe 2 mars 1992 për bashkëngjitje me Kosovën është institucionalizuar tek organet shtetërore të Republikës së Kosovës. Kjo kërkesë e tyre është ndërkombëtarizuar në pikën më kulminante botërore”, ka shkruar Thaçi në Fb.

“Kjo çështje do të diskutohet në kuadër të demarkimit të kufirit prej 430 kilometrave ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe mund të zgjidhet. Të mos mbesim rob të dhuratave të antishqiptarit famëkeq Aleksandër Rankoviç, por të punojmë për korrigjimin e historisë dhe rritjen e sigurisë për të ardhmen evropiane”, ka shtuar ai.

Sipas Presidentit, rezultate të marrëveshjes eventuale paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jenë njohja reciproke me Serbinë, njohja nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, anëtarësimi në Këshillin e Evropës, anëtarësimi në OSBE dhe heqja e vetos ruse në Këshillin e Sigurimit, si parakusht për anëtarësimin e Kosovës edhe në OKB.

“Kjo marrëveshje sjellë më tepër paqe dhe stabilitet në rajon, si dhe Kosovës i hapë rrugë të sigurt dhe të shpejtë për në NATO dhe Bashkim Evropian”, ka shtuar ai.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme