“Kah do që kalon sot Vuçiqi, janë planifikuar të jenë territore të Serbisë”

14:46 | 8 Shtator 2018
Arbresh.info

Sipas njohësit të çështjeve të sigurisë e drejtor i KIPRED-it, Lulzim Peci, ecja e presidentit serb Aleksandar Vuçiq do të vë kufirin e ri mes Kosovës e Serbisë.

Sipas tij, kah do që sot do të kalojë Vuçiqi janë planifikuar që t’i takojnë Serbisë. Ky sipas tij është skenar i Thaçit dhe Vuçiqit.

“Kah do që kalon sot dhe nesër Vuçiqi janë planifikuar të jenë territore të Serbisë. Sa për reciprocitet, kishte me qenë mirë që sot me ia dhënë një të ecur edhe Thaçi në Luginën e Preshevës, për të na bërë të ditur se ku do të jenë edhe territoret e Kosovës. Skenari: Aleksandri&Hashimi”, ka shkruar Peci.

Vuçiqi do të vijë në Kosovë të shtunën përmes pikës kufitare në Bernjak, ku nga aty do të vazhdojë në Zubin Potok. Siç merret vesh në orën 15:00 do të qëndrojë në Gazivodë; Në orën 15:40 në Leshak; Në orën 17:00 do të qëndrojë në Shkollën e Bujqësisë në Leshak; Në orën 17:45 do të qëndrojë në sallën e sporteve në Leposaviq ku do të mbajë një fjalim; Në orën 19:00 arrin në Zveçan ku do ta kalojë natën.

Në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë, të dielën, Vuçiq, në ora 08:00 viziton Qendrën Shëndetësore në Mitrovicë; Në orën 08:30 do të qëndrojë sërish në Zveçan; Në orën 09:15 do të vizitojë fshatin Banjë; Në orën 11:15 do të qëndrojë sërish në Mitrovicë te sheshi Car Lazar, dhe në orën 13:00 do të largohet nga Kosova përmes pikës kufitare në Jarinje.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme