Gjetani: Telefonata e Ramës para përjashtimit, i irrituar nga protesta ime

07:52 | 8 Shtator 2018
Arbresh.info

Deputeti Gjetani i tregoi gazetës “Shekulli” se, kryeministri i telefonoi një ditë para Asamblesë ;

“Do të mbroj interesin e qytetarëve, përjashtimi i padrejtë, nuk e kam shkelur statutin e partisë”

Lindita Bushgjokaj

Përjashtohet nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, deputeti për zonën e Laçit, Gjetan Gjetani. Ky është një vendim që mori kryeministri ditën e djeshme, gjatë mbledhjes së Asamblesë së PS-së, pasi një ditë më parë Gjetani ka akuzuar policinë e Kurbinit për paaftësi dhe ka kërkuar që qytetarët të dalin në protesta. Deputeti socialist ka shprehur shqetësim për gjendjen e kriminalitetit në qytetin e Laçit për shkak të paaftësisë së policisë, pasi kane qenë të pafundme ankesat e qytetarëve të kësaj zone. Ai ka kërkuar ndërhyrje nga Ministria e Brendshme, e cila e ka braktisur prej kohësh këtë situatë, duke paralajmëruar se nëse gjendja nuk përmirësohet, do jetë i pari që do ngrihet në protestë. Por qëndrimi i tij, siç duket, ka irrituar kryeministrin që e ka interpretuar negativisht dhe e ka telefonuar menjëherë duke iu shprehur se kjo është një sjellje të keqe.

Reagimi i deputetit Gjetani

Në një prononcim për gazetën “Shekulli”, deputeti socialist për zonën e Kurbinit, Gjetan Gjetani tregon se veprimi i Kryeministrit Rama ishte shumë i padrejtë, pasi është munduar që të evidentojë shqetësimet e qytetarëve, të cilët i janë ankuar për situatën e rëndë të kriminalitetit. Ai tha gjithashtu, se Kryeministri është nxituar në vendimin e tij, në shkelje të statutit.

“Unë kam folur vetëm për zonën e Kurbinit. Nuk pajtohem me vendimin që ka marrë kryeministri. Ai ka të drejtë që të largojë anëtarët, mbase e njeh më mirë sesa unë statutin. Unë nuk di të kem shkelur ndonjë vendim apo pikë të statutit. Kam marrë vendim për tu larguar. Nuk e di se çfarë ka pasur në kokë Kryeministri. Unë gjykoj se është nxituar dhe nuk duhet ta kishte marrë këtë masë ndaj një deputeti. Ndoshta është ndikuar nga propozimi im për protestë, por unë e kam kërkuar këtë në rast se kryeministri nuk do të merrte masa për pastrimin e krimit në Kurbin. E përsëri, unë i pari dal në protestë për situatën”, tha deputeti Gjetani. Në vijim të kësaj bisede për “Shekulli”-n, Gjetani bën me dije, se nuk ka ndryshuar qëndrim për atë që ka shprehur, pasi është zgjedhur për të përfaqësuar shqetësimet e qytetarëve.

Telefonata e Ramës

Një ditë para këtij vendimi, Gjetani është telefonuar nga Kryeministri Rama, i cili e ka kritikuar për sjellje të keqe dhe i ka komunikuar largimin nga partia.

“Çfarë të keqe ka këtu? Të përfaqësoj interesat e qytetarëve të Kurbinit që kanë dhënë mandatin për t’i përfaqësuar në Parlament, apo duhet të mbyll gojën sepse i ngel qejfi Ramës. Këtë e prisja, pasi ma ka komunikuar në telefon një ditë përpara dhe më kritikuar për sjellje të keqe”, tha Gjetani.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme