Google ADS

Informonte policinë për parcelat me drogë, ekzekutohet 43-vjeçari

11:02 | 7 Shtator 2018
Arbresh.info

Informonte policinë për parcelat me kanabis, gjendet i vrarë me armë zjarri një 43-vjeçar në Memaliaj.

Sipas policisë, viktima është identifikuar si Alket Muhaj, ndërsa nga hetimet paraprake dyshohet se është vrarë për shkak të bashkëpunimit me policinë, të paktën kështu konfirmojnë burime jozyrtare.

Sipas burimeve mësohet se Muhaj është gjetur vrarë nga një bari mëngjesin e djeshëm, ndërsa lajmi është bërë i ditur vetëm pasdite.

Pas lajmërimit të bërë nga bariu ka qenë bashkëshortja e tij që ka njoftuar opolicinë. Nga burime jozyrtare mësohet se Alket Muhaj, para disa ditësh ka njoftuar SHÇKB në Tiranë në lidhje me parcelat e drogës të mbjella në fshatin Gllavë, pasi nuk kishte besim te strukturat vendore. Pas kësaj, SHÇKB e Tiranës, më 4 shtator, ka informuar policinë lokale për të ndërhyrë në vendin e sinjalizuar nga Muhaj se kishte parcela me kanabis. Policia vendore kanë ndërhyrë dhe ka asgjësuar 8 parcela me lëndë narkotike, me rreth 4.800 bimë. Aksioni u ndërmor në fshatin Gllavë, që ndodhet pranë fshatit Rabie ku u gjet i vrarë 43-vjeçari. Trupi i pajetë është gjetur rreth orës 5 e 30 minuta të mëngjesit në fshatin Rabie të Memaliajt.

Ndërkohë një tjetër pistë e cila po ndiqet për hetimet, është një problem që ka pasur me pronësinë e një toke, kjo pistë është hapur nga dëshmia e bashkëshortes së tij, që ka treguar se kohët e fundit, Alketi kishte qenë i shqetësuar. Problemet me banorët e zonës për tokën kanë nisur që në vitin 2013 dhe si duket vazhdonin ende. Në lidhje me vrasjen, autoritetet janë duke u treguar rezervuar në nxjerrjen e informacionit, duke theksuar se edhe njoftimi për vrasjen është bërë shumë orë me vonesë dhe shume shkurt. Mësohet se viktima jetonte në fshatin Rabie bashkë me gruan dhe me dy fëmijët, ndërsa prindërit e tij jetonin në Patos të Fierit. Sipas policisë, trupi i tij është çuar në spitalin e Fierit, ku edhe do të bëhet ekspertiza mjeko-ligjore, ndërsa dyshohet se në kokën e tij janë vërejtur shenja dhune. “Në afërsi të fshatit Rabie, Memaliaj në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi A.M, 43 vjeç, banues në Rabie, Memaliaj. Menjëherë pas marrjes së njoftimit në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e policisë dhe grupi hetimor të cilët po punojnë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”, njoftoi policia.

Asgjësimi i parcelave me kanabis

Ndërkohë që për ekzekutimin e 43-vjeçarit, policia është duke u treguar e rezervuar, edhe për asgjësimin e kanabisit është treguar e rezervuar. Nga një vështrim në faqen zyrtare të Policisë, i vetmi njoftim që ka dhënë zyrtarisht policia lidhur me parcela droge të sekuestruara pranë zonës ku banonte dhe u ekzekutua 43-vjeçari është i ditës së djeshme. Sipas njoftimit, ku thuhet se dy persona janë proceduar penalisht për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, ata edhe janë arrestuar. “Komisariati i Policisë Tepelenë, më datë 06.09.2018, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për shtetasit K.C., dhe A.K., vjeç 59 e 33, banues në fshatin Gllavë, për veprën penale parashikuar nga neni 284 i Kodit Penal”, shkruhet shkurt në njoftim. /B.M/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme