Google ADS

Haziri për bllokadën në Kuvend: Po punojnë të tregojnë kush ka forcë ma shumë

09:30 | 7 Shtator 2018
Arbresh.info

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh edhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë për “Arbresh.info”, se të gjithë opozitë dhe pozitë duhet të bëhen bashkë dhe të gjejnë një zgjidhje për këtë gjendje.

Tutje Haziri thotë se kjo do të duhej të zgjidhej sa më parë, pasi që sipas tij po dëmton procesin e liberalizimit, me pamjet zhgënjyese që po ju tregohen ndërkombëtarëve.

“Na kanë irritu edhe neve që jemi në funksione publike, nuk e kemi meritu që parlamenti jon 20 vite pas lufte me punu në seanca të ndara opozitë dhe pozitë, por është dashur të ulen dhe të punojnë për të gjetur një zgjidhje bashkë. Zgjidhja nuk vjen nga rruga e as duke u ndarë, por vetëm të bashkuar për të hapur perspektivë në BE. Të gjithë jemi duke pritur që me 1 janar me na i lëshu vizat, por BE-ja janë duke i parë zhvillimet e fundit dhe janë të zhgënjyer me këtë gjendje që është aktualisht në vend”, tha Lutfi Haziri.

Sipas Hazirit, kryetari Kadri Veseli do të duhej të merrte këtë punë në dorë dhe t’i bashkonte pozitë e opozitë për të gjetur një zgjidhje dhe jo t’i ndajë deputetët.

“Për këto tri ditë ka ndarje në Kuvend. Ndarje që po imponohet kryesisht nga Kuvendi, sepse ai e ka për detyrë me i bashku opozitë dhe pozitë, e ai nuk po punon në këtë drejtim, por po punojnë kush ka forcë ma shumë dhe kush ka numra. Kryesia e Kuvendit duhet të ulet dhe të gjejë një zgjidhje”, tha ai./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme