Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi përmes një postim në Facebook ka treguar se sot ka pritur në takim partnerët e projektit ‘Euforia’ që është pjesë e programit ‘Erasmus’.
Pjesë e këtij takimi ishte edhe koordinatori i projektit, profesori Iraj Hashi nga Universiteti i Staffordshire.
Ministri Bytyqi tha se MASH-t është në fazën e formimit të një grupi të ekspertëve në bashkëpunim me mbështetësit ndërkombëtar për të hartuar një strategji për funksionimin e institucioneve të arsimit të lartë publik dhe atij privat.
Postimi i plotë:
Një strategji për arsimin e lartë në Kosovë
Sot prita në takim partnerët e projektit EUFORIA, në kuadër të programit ERASMUS+, të kryesuar nga koordinatori i projektit Prof. Iraj Hashi nga Universiteti Staffordshire.
Jam njoftuar nga partnerët e këtij projekti për rëndësinë e projektit në funksion të ngritjes së kapaciteteve në arsimin e lartë. Po ashtu, në këtë takim, partnerët e projektit kanë folur edhe rreth çështjes së sistemit të financimit të institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë.
E vlerësoj lartë rëndësinë e projektit EUFORIA, për faktin se qëllimi i këtij projekti është të zhvillojë lidhjet midis universiteteve dhe ndërmarrjeve në Kosovë në mënyrë që të përmirësojë mësimdhënien dhe mësimin, punësimin e të diplomuarve dhe të kontribuojë në financimin e arsimit të lartë në universitetet e Kosovës.
MAShT është në fazën e formimit të një grupi të ekspertëve në bashkëpunim me mbështetësit tanë ndërkombëtarë për të hartuar një strategji për funksionimin e institucioneve të arsimit të lartë publik dhe privat në Kosovë, e sigurisht që në kuadër të kësaj strategjie do të rregullohet edhe çështja e financimit të Universiteteve.
Projekti EUFORIA është një konsorcium i gjashtë institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë (Universitetet e Prishtinës, Pejës, Gjakovës, Gjilanit dhe Ferizajt dhe Kolegjit Riinvest) dhe pesë universitete nga Unioni Evropian; Universiteti i Ankonës (Itali), Universiteti i Zagrebit (Kroaci), Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Munih (Gjermani), Universiteti Nottingham Trent dhe Universiteti Staffordshire (Mbretëria e Bashkuar).
Uria në mes të natës – arsyet shëndetësore pse ndodh
Pse yjet shkëlqejnë më fort në male?
Frutat e thata ndihmojnë me kancerin e gjirit?
Tifozët mendojnë se kanë gjetur ‘arsyen e vërtetë’ pse Vinic...
Hakerët kinezë vënë në objektiv familjen Trump dhe këshillta...
Protesta e opozitës, Berisha: Shqipëria u paralizua, për tri...