Policia e Kosovës shënon përvjetorin e 19-të themelimit

07:16 | 6 Shtator 2018
Arbresh.info

Me rastin e përvjetorit të 19-të të themelimit të Policisë së Kosovës, sot në sallën e kuqe të Pallatit të rinisë dhe sporteve në Prishtinë do të mbahet ceremonia zyrtare për ta shënuar këtë ditë.

Për nderim të kësaj dite janë ftuar të marrin pjesë personalitete të ndryshme, përfaqësues të lartë të institucioneve të Republikës së Kosovës, perfaqësues ndërkombëtarë në vendin tonë, drejtorë të policive të disa shteteve të ndryshme, si dhe familjarë të policëve.

Gjatë kësaj ceremonie do të bëhet gradimi i disa punonjësve të Policisë së Republikës së Kosovës, si dhe ndarja e medaljeve dhe çertifikatave për zyrtarët policorë që janë shquar për punën e tyre dhe rezultatet e arritura.

Më 6 shtator të vitit 1999, Misioni i OSBE-së në Kosovë, në pajtim me Rezolutën e Kombeve të Bashkuara 1244, ka hapur Shkollën e policisë dhe ka filluar trajnimin e kandidatëve për pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Gjenerata e parë e kandidatëve për pjesëtarë të këtij Shërbimi filloi trajnimin në këtë qendër më 6 Shtator 1999.

Kjo gjeneratë numëroi 176 pjesëtar të cilët me sukses përfunduan trajnimin dhe pastaj filluan ushtrimin e veprimtarisë policore në tërë territorin e Kosovës si policët e parë të këtij Shërbimi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme