Deda: Thaçi përmes Listës Serbe po bllokon Kuvendin

23:56 | 5 Shtator 2018
Trina Galanxhi

Deputeti i Alternativës, Ilir Deda, ka thënë se presidenti Hashim Thaçi përmes Listës Serbe po e bllokon punën e Kuvendit dhe votimin për ndalim të negocimit për kufij në dialogun me Serbinë.

Në Interaktiv të KTV-së, Deda ka thënë se Thaçi bashkë me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq përmes Listës Serbe po bllokojnë Kuvendin dhe vendimet që mund të merren në të.

Duke folur për pikat e propozuara nga AAK-ja që listës me ekip negociator qeveritar t’i shtohet pika ku thuhet se i ndalohet kujtdo të negociojë për kufij të Kosovës, Deda ka thënë se ky propozim detyroi Thaçin të kërkojë ndihmën e Vuçiqit për të bllokuar për dy ditë punën e Kuvendit.

“Thaçi përmes Listës Serbe na mbajti peng qe dy ditë. Ne në Kuvend e dimë se ai është në kontakt me Vuçiqin dhe Lista Serbe s’ka pas kërkesë, pos që ishin pjesë e duetit Thaçi-Vuçiq. Insistimi i tij ishte që assesi të lejohej votimi kundër negocimit të kufijve”, ka thënë Deda duke shtuar se e enjtja është dita e fundit për të ndalur negocimin për kufij.

Sipas tij, deputetët e pozitës përmes mungesës në seancën për votim të rezolutës që ndalon negocimin e kufijve, po ia mundësojnë Thaçit të bëjë çfarë të dojë në dialog.

“Nëse kuvendi dështon ta prodhojë këtë rezolutë ia jep të drejtën Thaçit të bëjë ç’të dojë në çdo takim që ka me Serbinë. Është situatë urgjente ku patjetër duhet të kemi sukses nesër. Për asgjë tjetër, pos për normalizimin e Kosovës në raport me dialogun me Serbinë. Askush s’ka të drejtë të kukatët për teposhtën që mund të marrim nëse nuk votohet. Sa të duam protesta pas datës 7 shtator. Datat ekzistojnë për një arsye, në Kosovë nuk ka arsye, por bota ka”, ka shtuar ai.

Deda ka theksuar se legjislatura aktuale është më e turpshmja në histori të vendit.

Ka përsëritur se zgjedhjet janë rruga e vetme, “kur shihet paqëndrueshmëria e mazhorancës”.

“Si mund të funksionosh në këtë Kuvend, kur as marrëveshjet ndërkombëtare s’mund t’i aprovojë e as të mbrojë integritetin territorial”, ka deklaruar Deda./Koha.net/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme