Abdixhiku: Vendosja e territorit në bisedime konteston gjithçka të Kosovës

00:30 | 5 Shtator 2018
Trina Galanxhi

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka folur për dështimin e seancave të jashtëzakonshme të thirrura nga opozita dhe kryeministri Ramush Haradinaj, duke thënë se vendosja e territorit në tavolinë të bisedimeve konteston gjithçka që ka arritur Kosova.

“Ne jemi bërë bashkë me dy partitë opozitare për të bërë gjënë normale që do të bënin partitë për territorin. Kemi mbledhur 40 nënshkrime me të cilat është dashur ta kemi të garantuar mbajtjen e seancës. Seanca nuk është mbajtur nga ata që nismën tonë e quajtën absurde. Pastaj na thanë se nisma e opozitës prodhon ndarje të Kosovës, pastaj provuan mbledhje të mbrëmjes për të penguar seancën e opozitës”, ka thënë Abdixhiku.

“Fushata e presidentit e negociuar në takime të fshehta me Vuçiqin i ka bërë dëm të parikuperueshëm Kosovës. I njëjti po e vë në tavolinë territorin me të cilin e shpallëm pavarësinë, që na njohën 110 njohje. Vendosja e territorit, hap derë për të kontestuar gjithçka tjetër të Kosovës. Ideja që mund të negociojmë për territorin është pranim i strategjisë serbe për rrëzim të krejt asaj që ka dëshiruar ajo. E këtë tani po e do presidenti Thaçi”, ka theksuar deputeti i LDK-së.

“Për ne, deklaratat e tij kanë bërë dëme. Kanë zënë në befasi miqtë ndërkombëtarë. Ka refuzime të ashpra të Gjermanisë dhe Britanisë, vendeve që me ngulmë kanë promovuar pavarësinë e Kosovës”, ka shtuar ai./Koha.net/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme