Google ADS

Përshëndetën si nazistët, pezullohen dy policë gjermanë

01:30 | 3 Shtator 2018
Trina Galanxhi

Policia e Bavarisë në Gjermani po heton dy oficerë që dyshohen për kryerjen e përshëndetjes së paligjshme naziste.

Kushtetuta gjermane e konsideron krim shfaqjen e simboleve naziste dhe incidenti ka të ngjarë që të ushqejë një debat të nxehtë rreth racizmit dhe rritjes së të djathtës ekstreme pas një fluksi rekord të emigrantëve, kryesisht myslimanë, tre vjet më parë.

Policia tha në një deklaratë të shtunën se dy policë kishin bërë thirrje antiemigrante dhe kishin kryer përshëndetjen naziste në një “pub” në Rozenhajm të enjten. Një njeri i tretë, i përshkruar si një roje sigurie në deklaratën e policisë, kishte marrë pjesë gjithashtu në përshëndetje. Policët janë pezulluar.

Politikanët gjermanë kanë nxitur veprime për të luftuar një rritje të armiqësisë ndaj të huajve, pasi “skinhead”-ët të dielën e kaluar u përleshën me policinë në një qytet lindor, ku një njeri u godit dhe dy emigrantë u identifikuan si të dyshuarit kryesorë.

“Skinhead”-ët ngritën duart në përshëndetje naziste, ndoqën njerëz që dukeshin si të huaj dhe u përleshën me policinë në Chemnitz, pasi policia identifikoi të dyshuarit si një sirian dhe një irakian.

Politika liberale e emigracionit të kancelares Angela Merkel mbetet thellësisht ndarëse në një vend që ka marrë më shumë se 1.6 milionë njerëz gjatë katër viteve të fundit.

Fluksi kontribuoi në ngritjen e partisë Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila hyri në parlament për herë të parë në zgjedhjet e vitit të kaluar, me një fushatë që shpalli Islamin që të jetë i papajtueshëm me kushtetutën gjermane./tch/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme