Google ADS

Beqaj druhet se faza finale e dialogut mund të prodhojë trazira në Kosovë dhe Serbi

08:47 | 2 Shtator 2018
Arbresh.info

Analisti politik, Belul Beqaj vlerëson se nga takimi, i cili do të mbahet me 7 shtator në Bruksel, mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk pret ndonjë zgjidhje konkrete ashtu siç po e presin ndërkombëtarët.

“Nisur nga fakti që këto biseda kanë qenë jo transparente dhe fakti tjetër se kemi një diskrepancë të madhe në mes atyre që kanë negociuar, po shihet që kanë qenë negociata të fshehura edhe të Aleksandar Vuçiqit, edhe të Hashim Thaçit”, ka thënë Beqaj për Ekonomiaonline.

“Fakti se kemi dallime të mëdha në mes negociatorëve dhe popullit apo shoqërisë civile dhe opozitës në Kosovë, por edhe në Serbi, veçmas Kisha Ortodokse, flet për një epilog të mundshëm, që do të thotë se këta do të dalin gjoja se para atyre të cilët i kanë konsideruar se mund ta zgjidhin problemin, si njerëz të cilët kanë bërë përpjekje maksimale për ta zgjidhur problemin”.

“Por, duke nisur nga fakti se nuk do ta kenë mbështetjen maksimale në kuadër të shteteve të veta, unë nuk mendoj se do të kemi ndonjë zgjidhje si po presin ndërkombëtarët, të cilët në këtë pikëpamje kanë bërë edhe një gabim fatal, për faktin se i kanë dhënë përparësi zgjidhjeve territoriale, të cilat kanë qenë shkak pse Ballkani trajtohet si fuqi baruti e nuk kanë bërë kërkesa për ndryshimin e politik bërësve, pra atyre negociatorëve, të cilët kanë dhënë premtime pa mbulesa”, ka thënë tutje Beqaj.

Madje, sipas tij, mund të shkaktohen trazira në Kosovë dhe Serbi si pasojë e vendimit që do të merret, pasi që asnjëra palë nuk do të përfundojë e kënaqur.

“Unë nuk pres që do të ndodhë diçka pozitive, por mund, si pasojë e kësaj situate, të shkaktohen trazira në Kosovë dhe Serbi”, ka thënë Beqaj.

Ai vlerëson se 7 vjetët e dialogut kanë qenë vite të humbura, pasi që dialogu nisi për të zhvilluar bisedime në lidhje me çështjet teknike dhe po përfundon me kërkesa territoriale e etnike.

Sipas tij, zgjidhja e problemit bëhet vetëm me ndërrimin e dy pushteteve në Kosovë dhe Serbi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme