Google ADS

Aksion pastrimi nesër në Merdare, thirrje vullnetarëve që të bashkohen

19:00 | 1 Shtator 2018
Arbresh.info

Nga ora 11:00 nesër do të organizohet një aksion pastrimi në pikën kufitare Merdare nga Let’d Do It Kosova.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se pika në Merdare ka disa muaj që është vendkalimi kufitar ku mërgimtarët presin me orë të tëra. Një hapësirë e gjelbëruar, e ngulfatur nga mbeturinat e shumta që janë hedhur aty është pamja e fundit që ata shohin kur largohen nga Kosova.

Këto fotografi të kësaj hapësire të gjelbëruar, të mbushur me mbeturina janë realizuar pikërisht në vendkalimin kufitar në Merdare. Aty ku shihen edhe kolonat e veturave të mërgimtarëve që presin në radhë për t’u larguar nga Kosova.

“Gjendja e rëndë e kësaj hapësire shtyri Let’s Do It Kosovën që nesër (e diel), duke filluar nga ora 11:00, të organizojë aksion pastrimi në këtë zonë. Në aksion do të marrin pjesë dhjetëra vullnetarë të Let’s Do It Kosova, transportin e të cilëve e ka siguruar kompania e autobusëve Dita”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

Let’s Do It Kosova për aksionin e nesërm në ndihmë i doli edhe kompania “Natyra”, e cila përveç makinerisë, ka shprehur gatishmërinë që të gjithë punëtorët e tyre t’i bashkohen aksionit të nesërm në Merdarë.

Përmes kësaj komunikate, Let’s Do It Kosova iu bën thirrje të gjithë vullnetarëve që t’i bashkohen këtij aksioni për largimin e mbeturinave nga kjo pikë kufitare.

Aksioni i nesërm i paraprin fushatës së madhe që është nisur për pastrimin e Kosovës nga mbeturina, me ç’rast është themeluar edhe Task Forcë nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Më 15 shtator në Kosovë do të shënohet Dita e Pastrimit të Botës, i cili organizohet në afro 200 vende të tjera.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme