Kryebashkiakja e Shkodrës bën Ramën përgjegjës: Krimi ka zbritur këmbëkryq në qytet!

18:50 | 1 Shtator 2018
Arditë Shkodra

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi ka hedhur akuza në adresë të kryeministrit dhe qeverisë, duke deklaruar se në qytet krimi po bën ligjin dhe se shteti nuk ka bërë asnjë përpjekje për t’ju kundërpërgjigjur.

Pak orë pas vrasjes mafioze të rradhës në Shkodër, Voltana Ademi ka akuzuar kryeministrin duke thënë se Rama mban përgjegjësi për këtë që po ndodh në qytet. Ademi në reagimin e saj i bën thirrje dhe të gjitha mediave, politikanëve e përfaqësive diplomatike në vend, që të mos qëndrojnë indiferëntë ndaj ngjarjeve të rënda që kanë ndodhur deri më tani në Shkodër.

Statusi ne rrjetin social

Shkodra po përjeton periudhën e saj më të vështirë ku krimi po bën ligjin!

Në më pak se tre muaj janë 6 të vrarë dhe dy persona të zhdukur në territorin e Bashkisë së Shkodrës.

Ankthi për jetën dhe të nesërmen po zbret frikshëm në këtë rajon.

Si nënë, motër, grua, si kryetare e Bashkisë së Shkodrës i drejtohem kryeministrit të Shqipërisë, e Qeverise: Mjaft më! Ju mbani përgjegjësi për këtë që po ndodh!

U drejtohem të gjitha forcave politike, deputetëve e medias, përfaqësive ndërkombëtare në Shqipëri: Ju s’mund të qëndroni indiferent! Askush nuk mund të qëndrojë indiferent! Për fëmijët dhe familjet tona, për të ardhmen tonë e të Shkodrës tonë!

Shkodra nuk është dhe nuk duhet të jetë kurrë kjo e tre muajve të fundit, nuk duhet ta lëmë të hyjë në një rrugë pa kthim./Gazeta Express

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme