Gjermania do pengojë hyrjen në BE të Kosovës e Serbisë nëse ndryshojnë kufijtë

15:40 | 31 Gusht 2018
Arbresh.info

Politikologu gjerman, Bodo Weber, vlerësoi se Berlini zyrtar këmbëngul në qëndrimin e saj të mëparshëm rreth mosndryshimit të kufijve në Ballkan, duke theksuar se do ta pengojë integrimin e Serbisë dhe të Kosovës në BE, nëse ndodh ndryshe.

Weber për DW deklaroi se përgjegjës për ecurinë e dialogut, meqë sërish janë përmendur ide të vjetra për ndarjen e Kosovës, janë përfaqësuesja e lartë e BE-së, Frederica Mogherini dhe administrata e Donald Trumpit.

“Gjermani kategorikisht qëndron në pozicionet e mëparshme se nuk do të ketë ndryshim kufijsh në Ballkan, ndarje të Kosovës, apo ndryshim territoresh”, deklaroi Weber.

Ai shtoi se Berlini zyrtar do ta ndalojë hyrjen e Serbisë dhe të Kosovës në BE nëse vije deri te ndryshimi i kufijve, transmeton rtk shkrimin e DW.

Weber shtoi se ndryshimi i kufijve nuk është e nevojshme, meqë “dialogu kishte sukses më 2013-ën, kur Serbia ishte në pozicion që ta pranonte se Kosova nuk është pjesë e saj dhe që Beogradi po përpiqej ta kthente situatën para vitit 2013, me idenë e ndërrimit të territoreve, kompromisi Kosovës-Serbi kështu të mos pranonte se Serbia kishte ngelur pa Kosovën.

Weber fajëson Mogherinin që dialogu ka rënë në këtë pikë ku është tani, në krizë.

“Si pasojë e kësaj krize është se tanimë kanë rënë të gjitha vijat e kuqe, gjegjësisht, nuk reagohet në shkeljen e vijave të kuqe, që tregon dobësinë e BE-së”, deklaroi Weber.

Tutje, politikologu Weber theksoi se në raport me administratën e Trump-it nuk ndjehet i befasuar ngase presidenti Trump ka kërcënuar se do të shkatërrojë rendin mbi të cilin Perëndimi ka punuar më se 30 vjet- që nuk do të lejonte demarkimin e kufijve në vija etnike.

“Që me rënien e Jugosllavisë, është punuar në parimin që vendet e ish Jugosllavisë të bëjnë demarkimin në bazë të kufijve të brendshëm, por me të drejta të plota të pakicave, që ishte dhe parim bazë. Tani ky parim u hoq, praktikisht, brenda natës”, deklaroi Weber.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme