Google ADS

Basha: Nuk ka më pakt politik me Ramën!

13:12 | 31 Gusht 2018
Arbresh.info

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë bashkëbisedimit me gazetarët në selinë e PD-së, bëri të qartë se nuk do të ketë më pakt politik me Edi Ramën.

“Të jemi fare të qartë: nuk ka as bashkëqeverisje me Edi Ramën dhe as pakt politik me të”, tha prerë Lulzim Basha, duke përgënjeshtruar lajmin se dy partitë kanë arritur pakt për reformën zgjedhore.

“Synimi im dhe i Partisë Demokratike është që t’i japim fund qeverisë së lidhur me krimin”, shtoi Basha.

Kreu i PD-së iu kthye sërish sulmit ndaj gazetares Klodiana Lala, duke thënë se “një sulm i tillë bëhet vetëm kur krimi ka mbështetje politike”.

“Dje, u sulmua me automatik shtëpia e gazetares Klodiana Lala. Një sulm i tillë bëhet vetëm kur krimi ka mbështetje politike. I turpshëm dhe i neveritshëm është reagimi i prokurorisë, që duhet të nisë veprimet menjëherë për një hetim gjithëpërfshirës. Tallje është Tëitter-i i Edi Ramës. Gazetarja kishte denoncuar aferën “Çyrbja”. Përgjimet tregojnë se si deputeti socialist komunikon në telefon me një anëtar të bandës së Emiliano Shullazit, duke iu referuar bandës me “ne”. Sot e kësaj dite nuk ka reaguar prokuroria”, u shpreh kreu i PD-së.

“Vendi është në krizë të trefishtë: krizë e sigurisë, kushtetuese dhe ekonomike. Kjo verë nuk ka qenë e nxehtë vetëm për shkak të motit, por edhe në kuptimin e vazhdimit të skandaleve që konfirmojnë krizën e trefishtë. Kryeministri qytetarëve u ka ndërtuar një faqe interneti, ndërsa kohën e kalon me kriminelët. Me ta ka akses të drejtpërdrejtë. Ulet gju më gju me ta dhe me ministrin e Brendshëm. Skandalet që plasin njëri pas tjetrit bëjnë që të harrohet skandali i mëparshëm. Prioriteti i PD-së mbetet shkëputja e lidhjeve të krimit me qeverinë. Asgjë nuk ka për të ndryshuar për mirë në këtë vend sa kohë që vendi bashkëqeveriset me krimin”, shtoi Basha./tch

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme