Cili sulmues duhet të startojë për kombëtaren e Kosovës kundër Azerbajxhan?

23:44 | 30 Gusht 2018
Arbresh.info

Konkurrenca brenda kombëtares kosovare për të bërë një vend në 11-shen e parë vetëm po shtohet dita e ditës. E gjitha kjo për shkak të rritjes së kualitetit dhe transferimi i lojtarëve në ekipet evropiane.

Me 7 shtator Kosova zhvillon ndeshjen e parë kundër Azerbajxhanit në kuadër të “Ligës së Kombeve”, ku kombëtarja jonë bën pjesë në grupin C të divizionit të tretë.

Duke parë kualitetin që kemi në ekip, sidomos në fazën ofanzive, mbetet pikëpyetje dhe shumë kurioze se me kë do të startojë trajneri, shkruan Indeksonline.

Pozicioni i sulmuesit qendrorë është pozicioni ku nuk dihet ende se kush pritet të startojë pasi që të tre opsionet janë shumë të barabartë sa i përket kualiteteve.

Atdhe Nuhiu, Vedat Muriqi dhe Elbasan Rashani janë tri opsionet për atë pozicion. Atdhe Nuhiu dhe Vedat Muriqi kanë qenë startues në kombëtaren e Kosovës, kurse Elbasanit i janë dhënë më pak minuta.

Nuhiu dhe Muriqi dy sulmues shtatgjatë dhe me aftësi shumë të mira në ajër priten të bëjnë garën për pozicionin e sulmuesit, por nuk duhet lënë anash shpejtësia e Rashanit.

Atdhe Nuhiu paraqitet për ekipin anglez Sheffield Wed. që bën garë në ligën “Championship” , kurse Muriqi paraqitet në super ligën turke me ekipin Rizespor, ndërsa Rashani bën gara me ekipin Odds në Norvegji.

Që nga ndeshja e fundit e Kosovës, që ishte kundër Shqipërisë, këto janë statistikat e sulmueseve të kombëtares me ekipet e tyre.

Fillojmë me Nuhiun që ka luajtur në shtatë ndeshje nga dhjetë sa kishte ekipi anglez. Në tre ndeshje që nuk ka luajtur, në dy nga këto ka qenë në bankën rezervë ndërsa në një lojë ka qenë i suspenduar. Ai ka arritur të shënojë vetëm një gol që nga ndeshja e fundit e Kosovës.

Vedat Muriqi nga katër ndeshje sa ka pas ekipi turk është paraqitur në të gjitha ndeshjet duke luajtur si startues. Nga këto katër ndeshje, Muriqi ka shënuar dy gola.

Ndërsa Elbasan Rashani nga nëntë ndeshje të ekipit norvegjez ka luajtur në 8 prej tyre ku ka qenë startues. Në të vetme ndeshje që nuk është paraqitur ka qenë i suspenduar. Nga 8 ndeshjet Rashani ka shënuar tre gola.
Ndërsa për kombëtaren e Kosovës këto janë statistikat e sulmuesve. Nuhiu është paraqitur nëntë herë me fanellën e Kosovës ku ka shënuar vetëm një gol. Muriqi është paraqitur dhjete herë për Kosovën, ku ka arritur të tund rrjetat dy herë. Ndërsa Rashani është paraqitur vetëm dy herë për kombëtaren, ku një herë ka arritur të shënojë./Indeksonline/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme