Mediat serbe: Deklarata e këshilltarit të Trumpit, e “zbuti” Merkelin për ndryshimin e kufijve

22:28 | 30 Gusht 2018
V. S.

Në deklarimin e saj të parë në lidhje me korrigjimin e kufijve kancelarja gjermane, Angela Merkel ishte shprehur kategorikisht kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan.

“Nuk duhet të ketë ndryshim të kufijve në Ballkan. Kjo do të sillte probleme”, kishte thënë Merkel fillimisht para disa ditësh.

Por deklarimi i fundit nga kancelarja Merkel ishte pak sa më i zbutur. Ajo tha se Gjermania i mbështet të gjitha bisedat që mund të sjellin zgjidhje finale, transmeton lajmi.net.

“Ne natyrisht se i mbështesim të gjitha bisedat, që mund të çojnë drejt qëllimit, por në të njëjtën kohë, themi se integriteti territorial ashtu siç është tani është një vlerë e rëndësishme”, tha Merkel.

E mediat serbe këtë ndryshim të lehtë në qëndrimin e Merkel po e vlerësojnë se ka ardhur pas deklaratave të këshilltarit të Trumpit, John Bolton.

Ky i fundit kishte thënë se çdo zgjidhje që pranohet nga Prishtina dhe Beogradi, është në rregull.

Sipas burimeve të gazetës serbe Blic, në qëndrimin e Merkel kanë ndikuar edhe fjalët e Bolton, por edhe të komisionerit Johanes Hahn.

“Nëse të dy palët e përfshira në dialog arrijnë marrëveshje dhe nëse një marrëveshje e tillë nuk e destabilizion Ballkanin, atëherë nuk përjashtohet që Gjermania ta ndërrojë mendjen. Si për BE-në ashtu edhe fuqitë perëndimore, është e rëndësishme që zgjidhja të mos ketë efekt-domino”, thonë burimet e gazetës serbe.

E gjithë këtë ndryshim te shtete e fuqishme po e cilëson si fitore të diplomacisë serbe, ministri jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq.

Ky i fundit vazhdimisht ka përmendur shkëmbimin e territoreve si mundësi për zgjidhjen përfundimtare.

Për të diskutuar për zgjidhjen finale Kosovë-Serbi, dy presidentët Thaçi dhe Vuçiq do të takohen më 7 shtator në Bruksel. /Lajmi.net/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme