Izraeli kërcënon me sulme të ashpra në Siri

12:22 | 30 Gusht 2018
Arbresh.info
Izraeli ka kërcënuar me sulme të ashpra ndaj pozicioneve të forcave të armatosura iraniane dhe forcave besnike të regjimit të presidentit sirian, Bashar al-Assad.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, mbrëmë mori pjesë në ceremoninë solemne të emërimit të reaktorit bërthamor Dimon me emrin e ish-presidentit izraelit, Shimon Peres.

Gazeta “Yediot Ahronot” raporton se gjatë fjalimit, Netanyahu dënoi ashpër paralajmërimin e intensifikimit të bashkëpunimit ushtarak mes Iranit dhe Sirisë.

“Ushtria izraelite në mënyrën më të ashpër dhe të vendosur do t’i kundërvihet përpjekjeve të Iranit për të vendosur në Siri ushtrinë dhe armatimin me sistemet e zhvilluara”, tha Netanyahu, transmeton Anadolu Agency.

Ministri iranian i Mbrojtjes, Amir Hatami, më herët pati deklaruar se gjatë një vizite zyrtare të kohëve të fundit në Damask nënshkroi një marrëveshje të bashkëpunimit ushtarak midis Iranit dhe Sirisë dhe njoftoi se Irani do të mbështeste në çdo mënyrë rikonstruktimin e ushtrisë siriane.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme