Audio-përgjimi/ Biba e pranon: Biseda ime me gjyqtarin, qasje e papërshtatshme. Jo ndikim, as shantazh

11:03 | 30 Gusht 2018
Arbresh.info

Denar Biba, nënkryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në një deklaratë për mediat paraditen e së enjtes, pranoi se biseda që ka zhvilluar me gjyqtarin shqiptar në Gjykatën e Strasburgut, Ledio Bianku, ka qenë “qasje e papërshtatshme”, por, sipas tij, nuk bëhet fjalë aspak për shantazh.

“E vërteta do të zbulohet vetëm kur të publikohet audio e plotë. Siç tha vetë Gjykata e Strasburgut, unë kam takuar gjyqtarin dhe i kam kërkuar që të na asistonte në lidhje me një kërkesë të shtetit tonë për të mundësuar shtyrjen e afatit të ekzekutimit të një vendimi që në atë kohë, kur qeveria sapo ishte krijuar, do të vinte në pozitë shumë të vështirë financat. Bianku e ka konsideruar bisedën me mua si qasje të papërshtatshme. Gjykata pranon referimin e anëtarit të saj për qasje të papërshtatshme, por jo për ndikim dhe aq më pak për shantazh”, shpjegoi Biba.

“Ishte bisedë normale mes dy miqsh, që për fat të keq gjyqtari e ka referuar si qasje të papërshtatshme. Më vjen keq që nuk ma tha në sy dhe ta ndërpriste bisedën në moment”, shtoi Biba.

Ndërkohë, Top Channel ka mësuar se Prokuroria e Përgjithshme ka regjistruar një çështje penale dhe po heton për ushtrim të ndikimit të paligjshëm mbi personat me funksione publike./Top Channel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme