Pavarësi për Sanxhakun

16:23 | 29 Gusht 2018
Arbresh.info

Kombi shqiptar ka humbur shumë pjesë fizike të tij gjatë aksidenteve të historisë. Por, gjithashtu në kohërat e reja demokratike, që kanë ardhur në Ballkan e në Evropë, është detyra e shtetit dhe e kombit për korrigjimin e këtyre aksidenteve. Një rast klasik është ai i shqiptarëve të Sanxhakut në Serbi, i cili deri para 100 vitesh ka qenë pjesë e vilajetit të Kosovës dhe pjesa më e madhe e popullsisë ka qenë shqiptare. Gjatë mbi 100 viteve të pushtimit serb popullsia autoktone shqiptare u shkul me dhunë nga vatrat e veta. E çkombëtarizuan atë pjesë që mbeti, duke e detyruar të harrojë gjuhën dhe të boshnjakëzohet me zor dhe sot statistikat serbe japin shifrën e pavërtetë prej 0,2 për qind shqiptarë në Sanxhak. Shifra reale është shumëfish më e madhe dhe spekulimi statistikor serb vjen nga fakti se shqiptarët e Sanxhakut, të terrorizuar nga dhuna e pushtetit gjatë mbi 100 viteve, nuk guxojnë të thonë se janë shqiptarë dhe i kanë detyruar të regjistrohen si boshnjakë.

Çështja e popullsisë shqiptare të Sanxhakut nxjerr detyrën e madhe të shtetit të Shqipërisë për t’u interesuar dhe për të mbrojtur pakicën shqiptare në Sanxhak. Shqipëria në marrëdhëniet e saj diplomatike me Serbinë ka plotësisht të drejtën ligjore në bazë të të gjitha ligjeve dhe normave ndërkombëtare dhe konventave për të drejtat e njeriut dhe të pakicave, që të interesohet për fatin dhe të drejtat e pakicës shqiptare në Sanxhak. Serbia është shtet kandidat për në BE dhe ka hapur edhe bisedimet për traktatin e pranimit me BE. Ajo ka detyrimin ligjor të zbatimit të kritereve të anëtarësimit, ku në radhë të parë hyn trajtimi i barabartë i pakicave dhe dhënia e të drejtave të plota dhe të statusit të pakicave, e ndër to edhe pakicës shqiptare në Sanxhak.

Kjo do të thotë që diplomacia dhe shteti shqiptar ta shtrojnë si pjesë të rendit të ditës në bisedimet e tyre zyrtare me Serbinë çështjen e pakicës shqiptare në Sanxhak. Kjo do të jetë edhe një nga provat për të dëshmuar Serbia se sa demokratike është, për të dëshmuar gatishmërinë e vërtetë për të zhvilluar marrëdhënie miqësore me shqiptarët dhe me Shqipërinë.

Shteti dhe diplomacia shqiptare duhet të jenë të pranishëm në Sanxhak, të takojnë njerëzit, të ngrenë kurse të gjuhës shqipe, të ndihmojnë me abetare dhe libra, me filma dhe video, me veprimtari kulturore e artistike nga Shqipëria dhe me gjithfarë mjetesh informacioni për të nxjerrë në dritë dhe për të legalizuar identitetin e tyre kombëtar. Televizionet shqiptare bëjnë mirë që dërgojnë ekipe në Ukrainë, Azerbajxhan apo Afganistan, për të qëmtuar komunitetet e harruara shqiptare, por edhe më urgjente të qëmtojnë në Sanxhak pakicën e heshtur shqiptare, që nuk është shpërngulur nga trojet e veta. Sanksionimi i së drejtës së pakicës shqiptare në Saxhak për statusin e pakicës don të jetë një provë e maturisë së Serbisë për anëtarësim në BE. Sidomos është tregues i seriozitetit të saj për të ndërtuar marrëdhënie të vërteta miqësore dhe bashkëpunimi me Shqipërinë.

Në drejtim të mbrojtjes dhe sanksionimit të të drejtave të pakicës shqiptare në Sanxhak nuk ka dhe nuk duhet të ketë asnjë lloj ngurrimi apo kompleksi. Shqipëria vetë është treguar aq dorëlëshuar, saqë ka lejuar situatën që diplomacia serbe dhe institucionet e specializuara serbe të livadhisin si në shtëpi të vet në Shqipëri dhe të shkëpusin arbitrarisht një grup boshnjakësh myslimanë nga “Shoqata e Boshnjakëve” të ardhur në Shqipëri si muhaxhirë në luftërat ballkanike dhe të shpikin një të ashtuquajtur pakicë myslimane serbe në mes të Shqipërisë. Natyrisht, ky absurditet i të ashtuquajturës pakicë myslimane serbe u realizua edhe nëpërmjet implikimit të lobit serb në Tiranë.

Për pakicën shqiptare në Sanxhak duhet të kujdesen më shumë partitë politike shqiptare në Luginën e Preshevës, sepse jetojnë në të njëjtin shtet me shqiptarët e Sanxhakut dhe kanë mundësi ta ngrenë zërin për të drejtat e tyre në parlamentin e Serbisë. Për pakicën shqiptare në Sanxhak duhet të kujdeset edhe shteti dhe diplomacia e Kosovës, duke hedhur në tavolinën e bisedimeve me Serbinë çështjen e pakicave shqiptare në Serbi, qoftë në Luginën e Preshevës, qoftë në Sanxhak, sa herë që qeveria e Beogradit kërkon qiqra në hell e deri autonomi për pakicën serbe në Veri të Kosovës. Për pakicën shqiptare në Sanxhak duhet të ndihmojnë shoqatat joqeveritare dhe qendrat studimore në Shqipëri dhe në Kosovë, të cilat, para se të shpërndajnë tym me pseudostudimet për lidhjet historike miqësore midis Shqipërisë dhe Serbisë, le të shkojnë në Sanxhak për të ndihmuar në realizimin e standardeve njerëzore dhe demokratike për shqiptarët e Sanxhakut.

Por e përsëris, që barra kryesore i përket shtetit dhe diplomacisë së Shqipërisë, të cilët duhet të ndjehen dhe të jenë të pranishëm në Sanxhak dhe ta shtrojnë çështjen e pakicës shqiptare të Sanxhakut si pjesë të dosjes së marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Serbisë. Që në vitin 2011 kam tërhequr vëmendjen për nevojën e interesimit të shtetit dhe të diplomacisë sonë për shqiptarët e Sanxhakut.

Shqiptarët nëndhunën dhe masakrat e vazhdueshme u detyruan të shpërngulën në masë, duke u vendosur në Turqi, por edhe Siri e Jordani. Të tjerët të mbetur tashmë nga shumicë e pakicë iu nënshtruan një procesi përzierje asimiluese me boshnjaket, me të cilët i bashkonte në këtë zone feja, por jo gjuha sllave që megjithatë mbeti alternativa e vetme në kushtet e presionit dhe mungesës së shkollave shqipe.

E megjithatë, në zonën e ndarë mes Serbisë e Malit të Zi, shqiptaret nuk janë shuar. Ata janë serish aty, të deklaruar nën detyrim si boshnjakë…Pavarësi për Sanxhakun duhet kërkuar me ngulm nga të gjithë shqiptarët kudo që janë në shtetet tjera të pavarura.

Shqiptaret kanë zgjedhur të jetojnë në zona të thella për të mos humbur identitetin e tyre. Të grupuar në disa fshatra ata e kane shfrytëzuar këtë mundësi për të mos iu nënshtruar procesit të asimilimit.

Fshati Uglla, pjesë e rajonit të Peshterit, i fshehur pas kthesash të ngatërruara, rreth 1 orë nga Pazari i Ri apo Novi Pazar, siç i thonë serbët është stacioni i parë. Janë mikpritës. Me shqipen që sado arkaike, nuk ka humbur mes këtyre mureve.

Në familje të tilla të lidhura fort pas traditës, gjuha është kaluar brez pas brezi, deri tek më të vegjlit. Jo gjithkund është njësoj. Tek të rinjtë, siç tregojnë të moshuarit, gjërat kanë nisur të zbehen.
Të jesh shqiptar në Sanxhak nuk është e thjeshtë… Përkundrazi, këtu shqiptaret janë komuniteti që gëzon me pak të drejta, me pak mundësi. Për me tepër, këto të drejta nuk mund t’i kërkojnë ose me mire nuk kane ku t’i kërkojnë.

Ne Boroshtice, një fshat tjetër jo larg, banoret te tregojnë jo pa ndrojtje mbi presionin shtetëror qe behet vazhdimisht mbi këto zona… Në këto fshatra gjen mjaft mbiemra të njohur të zonës se Shkodrës si Shkreli, Dukagjini etj… Një pjese janë detyruar t’i ndryshojnë, duke u shtuar prapashtesa sllave, si e vetmja mënyrë për te mos pasur probleme me autoritetet vendase.

Ne fshatra te tjerë situata është me vështirë sepse asimilimi ka qene thuajse tërësor, ka ende shume shqiptare po qe për fat te keq nuk flasin me gjuhen e tyre.

Gjithçka duket si një fotografi që tregon fatin e shqiptarëve e që mund ta prekesh në shumë zona të Ballkanit, por edhe me gjere… Kanë mbetur të tillë vetëm ne rrënjë, sepse në të sotmen vështirë kanë ruajtur diçka nga e shkuara e tyre. Ne këto zona, shqiptarët janë detyruar të deklarohen boshnjake, siç e pranojnë edhe banort e një tjetër fshati Bashicës.

Edhe pse shumë kujtojnë mbrojtjen që patriotet Haqif Blyta e Shaban Polluzha i bënë qytetit nga çetniket në qytetin e Pazarit të Ri, andej nga viti 1941 shqiptarët janë asimiluar në mase….. Edhe vete myftiu i Komunitetit Mysliman ne Serbi, i njohur si nje mbështetës i fortë i të drejtave te boshnjakëve, përfaqësues dhe kryesues i një sere shoqatash dhe grupimesh kulturore boshnjake… në fakt, siç edhe ai vetë pohon vjen nga rrënje shqiptare.

Ka shumë të tjerë në qytet, që druhen të pohojnë apo e kanë humbur identitetin e tyre… presioni i madh e i vazhdueshëm nga brezi ne brez ka bërë që tek një pjesë e madhe të fshihet vetëdija kombëtare, deri tek shume qytetarë të sotëm që janë shkëputur nga rrënjët e tyre.

E kështu ka ndodhur edhe në shumë e shumë fshatra të tjerë te sanxhakut të Serbisë ku jetojnë sot shqiptarët.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme