Ndryshe, në vitin 2014, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ndryshimet e nevojshme ligjore në mënyrë që personave të kësaj kategorie t’u rregullohet statusi dhe të marrin pensionin që u takon më ligj, në shumë prej 230 eurosh.
Procesi i verifikimit të statusit të personave të dhunuar gjatë luftës pritet të zgjasë 5 vjet. Sipas Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë gjatë periudhës 1998-1999 janë dhunuar rreth 20 mijë gra kosovare.
Minire Begaj, kryesuese e Komisionit Qeveritar për pranimin dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale ka thënë se për KALLXO.com se ka rritje të numrit të aplikuesve për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale në gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Sekretaria e Komisionit prej datës 05.02.2018 deri me datën 15.08.2018, ka pranuar 676 aplikacione në nivel vendi, prej tyre janë shqyrtuar dhe trajtuar nga Komisioni 265 lëndë, nga të shqyrtuarat prej tyre të pranuar janë 136 raste ( që ju ka njohur statusi) të refuzuara 107 raste, 22 lënde janë në shqyrtim e sipër, Fillimi ka pasur sfida për shkak ndjeshmërisë në trajtimin e rasteve dhe në përgjithësi të procesit por procesi është duke ecur mirë” ka thënë Begaj.
Sebahate Pacolli, menaxhere e njësisë së rehabilitimit nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) tha për KALLXO.com se në këtë qendër po rritet numri i grave që po aplikojnë që t’u njihet statusi i personave të dhunuar gjatë luftës së fundit.
“Ka interesim shumë më të madh për tu paraqitur në zyrën tonë, e qendra jonë është njëra ndër katër qendrat e autorizuara nga Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale për me mbështet procesin, ka interesim shumë më të madh, ne veçse e kemi pasur një listë i kemi njohur më mirë sepse historitë e tyre i kemi pasur të deponuara në qendër andaj edhe ju kemi dhënë përparësi, por asnjëherë nuk i kemi larguar edhe rastet e reja, rastet që vijnë në qendrën tonë po rriten. Ne kemi krijuar një listë të pritjes për shkak se nuk është thjeshtë një aplikim por është kompletim i dosjes, raporteve, historive traumatike, e vendimi merret kryesisht në bazë të dosjes” ka thënë Pacolli.
Po ashtu Pacolli tha se në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) janë kompletuar dosjet e 150 rasteve, por shtoi se periudha e shqyrtimit të aplikacioneve nga komisioni qeveritar është i ngadalshëm.
“Në qendrën tonë deri më tani i kemi 150 raste që e kane përfunduar procesin e kompletimit të dosjes, e deri në fund të vitit në qendrën tonë jemi të mbuluar me raste se çdo herë kemi raste të reja, e periudha eshqyrtimit nuk është se bëhet shpejtë, kemi raste që presin qe pesë muaj dhe ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje pozitive apo negative për njohjen e statusit. Aplikimeve duhet t’u kushtohet shumë vëmendje sepse vetëm njëherë kanë të drejtë të aplikojnë dhe nuk dëshirojmë që rastet të pësojnë për shkak të mos vëmendjes dhe neglizhencës, janë raste të ndjeshme” shtoi Pacolli.
Gjithashtu edhe në shoqatën “Medica” në Gjakovë ka rritje të numrit të aplikuesve për të ju njohur statusi i personave të dhunuar.
Mirlinda Sada drejtoreshë e kësaj shoqate tha për KALLXO.com se numri i aplikuesve po rritet, por kjo shoqatë po ju jep përparësi atyre që po i drejtohen shoqatës personalisht.
“Numri te ne si organizatë është rritë për shkak se është lehtësuar mënyra e aplikimit pasi institucionet tona njohën këtë kategori, kemi shumë raste kur vijnë në qendër, na kontaktojnë personalisht ose përmes rrjeteve sociale. Organizata jonë është duke e vërejtur një rritje mirëpo çështja është se qendra jonë punon me këshillime psiko- sociale, ne kemi diku rreth 500 raste që i trajtojmë d.m.th kanë trajtime të rregullta me sesione grupore dhe individuale dhe ne si organizatë ende nuk kemi arritur që këtë numër që e kemi me i dërguar aplikacionet dhe i kemi vendos si prioritet rastet kur kanë ardhur personalisht në qendrën tonë gratë dhe burrat edhe pse burrat janë në numër të vogël” tha Sada.
Gjithashtu Sada tha se organizata “ Medica” në aplikacionet që i kanë dërguar komisionit qeveritar vetëm për 29 prej tyre kanë marrë përgjigje.
“Organizata jonë deri në fillim të muajit gusht kemi dorëzuar 106 aplikacione prej të cilave 24 përgjigje i kemi pozitive dhe 5 prej tyre janë negative për të cilat kemi bërë ankesë por ende nuk është shqyrtuar asnjëri rast që nga muaji mars” deklaroi Sada.
Kryetarja e komisionit Minire Begaj gjithashtu ka thënë se afati përfundimtar për të parashtruar kërkesën e njohjes së këtij statusi është 5 vjet nga fillimi i punës së komisionit.
“Sipas Ligjit përkatës, afati përfundimtar për të parashtruar kërkesën, për realizimin e të drejtave në pensione dhe benificione të përcaktuara, sipas këtij ligji për viktima të dhunës seksuale gjatë luftës është pesë (5) vite, nga fillimi dhe zyrtarizmi i punës së Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës” është shprehur Begaj.
Komisioni për pranimin dhe verifikimin e statusit të viktimave seksuale ka filluar punën në muajin shkurt të vitit 2018.
Ushtarët e KFOR-it kryejnë patrullime në qytetin e Istogut
Veliaj inspekton terminalin veri-perëndimor: Investim i ri q...
“Është një ushtar, robot, kompjuter”, Conte me fjalë të mëdh...
Kryetari i LDK-së shpalos portretin e Xhemail Mustafës në pë...
Maqedonci dhe Jashari, po marrin pjesë në Forumin Ndërkombët...
Shefi i NATO-s takohet me Trumpin në Florida