Google ADS

Krasniqi: Sovraniteti dhe integriteti territorial nuk mbrohen me rezoluta e me seanca të jashtëzakonshme

19:01 | 28 Gusht 2018
V. S.

Partia Demokratike e Kosovës, nuk e ka ndërmend ta votojë rezolutën e cila pritet të propozohet nga partitë opozitare, që të ndalet presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi që të bisedojë me shtetin serb për kufijtë.

Sipas tyre, sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës, nuk mbrohen as me rezoluta as me seanca të jashtëzakonshme.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë për ‘Gazeta Blic’ se subjekti politik të cilin ai e përfaqëson, janë pro dialogut ku do të normalizohen marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne jemi pro dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe mendojmë se në këtë proces duhet të japin kontributin e tyre të gjitha partitë politike që kane legjitimitet qytetar. Opozita duhet të deklarohet se a është pro apo kundër dialogut dhe cila është alternativa e tyre. Kosova nuk negocion për shtetësinë, sovranitetin dhe integritetin e vet territorial. Përmes dialogut ne kërkojmë që të arrijmë qëllimet tona për përfundimin e konfliktit të ngrirë me Serbinë, për normalizim të raporteve dhe paqe në rajon, për njohje të ndërsjelle dhe anëtarësim të Kosovës në OKB, BE dhe NATO”, ka thënë Memli Krasniqi.

Krasniqi theksoi se sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës, nuk mbrohen me seanca të jashtëzakonshme e as me rezoluta.

“Sovraniteti dhe integriteti territorial nuk mbrohet me seanca të jashtëzakonshme e me rezoluta për konsum politik ditor. Sikur të mbetej mbrojtja e vendit tonë në vullnetin dhe mëshirën e opozitës se sotme, besoj se të gjithë qytetaret e Kosovës mund ta marrin me mend se cili do të ishte epilogu”, thotë Krasniqi./gazeta blic/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme