Organizatorët e protestës kundër Lumezit ftojnë veteranët e vërtetë të dalin në shesh

15:35 | 28 Gusht 2018
Arbresh.info

Përfaqësuesit e shoqërisë civile, që do të protestojnë sërish kundër ndërhyrjeve dhe presioneve në Prokurorinë e Shtetit, kanë ftuar veteranët e vërtetë që t’u bashkëngjiten në protestat në sheshet e Prishtinës.

Protestat, që nisën pas publikimit të letrës së ish-prokurorit Elez Blakaj ku thoshte se ka pasur kërcënime gjatë hetimit të veteranëve të rrejshëm, do të vazhdojnë nesër, e mërkurë, në orën 18:00. Letra e Blakajt dhe fyerjet e fundit të kryeministrit Ramush Haradinaj ndaj Blakajt “se një njeri nga Bllaca s’mund të tregojë numrin e veteranëve”, janë arsyet pse, sipas organizatorëve, në protestë duhet të dalin edhe veteranët e vërtetë.

Rron Gjinovci dhe Shkëlzen Gashi kanë ftuar veteranët që t’u bashkohen protestave në kërkim të shkarkimit të kryeprokurorit të shtetit Aleksandër Lumezi dhe kërkimit të procesit të vetingut për sistemin gjyqësor duke thënë se përpos ngjarjeve të fundit, të gjithë qytetarët e vendit kanë shumë arsye për të protestuar.

Organizatorët kanë bërë të ditur se protesta do të nisë nga sheshi “Zahir Pajazit”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme