Google ADS

Nis protesta ndaj pelegrinëve serbë në Gjakovë

10:00 | 28 Gusht 2018
Arbresh.info

Ka nisur protesta në Gjakovë kundër ardhjes së paralajmëruar të pelegrinëve serbë në këtë qytet.
Kjo protestë u thirr nga qytetarët e Gjakovës “për të kundërshtuar ardhjen e serbëve”.

Qytetarët po protestojnë me parullat “S’ka qetësi pa drejtësi” dhe “Gjaku i fëmijëve shqiptarë të vrarë nga Serbia nuk falet”.

Edhe shoqata “Thirrjet e Nënave” në Gjakovë, ka dalë kundër ardhjes së pelegrinëve serbë në qytetin e Gjakovës, shoqatë e cila, përmes një letre të hapur dërguar presidentit Thaçi, kërkoi nga ky i fundit që të ndalojë këtë vizitë.

Një ditë më parë, themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, e ka ftuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, që t’ua mundësojë serbëve të Gjakovës që sivjet ta vizitojnë kishën.

“Me këtë rast ju lus që personalisht të angazhohen në mënyrë që serbët nga Gjakova më 28 gusht 2018 të mundë ta vizitojnë kishën dhe shtëpitë e veta dhe të mos i nënshtrohen poshtërimit sikur në vitin e shkuar”, ka thënë Kandiqi në letrën që u botua dje.

E presidenti i vendit tha se “sot, është e paimagjinueshme dhe është e papranueshme që dikush të cenojë të drejtat apo të mos lejojë vizitën e qytetarëve serbë në objektet fetare, qoftë në Gjakovë ose kudo tjetër anembanë Kosovës”.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme