U vra për motive banale, ja kush është 54-vjeçari që humbi jetën në Shkodër

01:07 | 28 Gusht 2018
Trina Galanxhi

Thika, e cila u ngul në trupin e tij nga Fredi Pëllumbi e la të vdekur Prendush Fushajn. 54-vjeçari u vra në lagjen “Mark Lula” në Shkodër mbrëmjen e sotme pasi gjatë pasdites kishte debatuar ashpër me autorin e ngjarjes.

Vrasja e rëndë sipas policisë ka ndodhur për “motive të dobëta”. Viktima Fushaj kishte denoncuar në polici, 30-vjeçarin Pëllumbi se ai i kishte vjedhur një sasi parash, ç’ka kishte sjellë edhe një arrestim të autorit të krimit nga policia e Shkodrës.

Blutë e Shkodrës nuk kishin gjetur prova kundër 30-vjeçarit dhe e kanë lëtë të lirë atë, por me kalimin e ditëve arrestimi ka bërë që Fredi Pëllumbi të shkojë në banesën e viktimës për të kërkuar llogari dhe pas një debati të ashpër e ka masakruar atë me thikë.

Prendush Fushaj fillimisht mbeti i plagosur rëndë dhe policia sqaron se ndërroi jetë rrugës për në spital. “Rreth orës 19.15 jemi njoftuar nga urgjenca Spitalit Rajonal Shkodër se ka ardhur një person i goditur me mjet prerës (thikë) dhe pas pak minutave ka ndërruar jetë”, njofton policia.

Ndërkohë policia vijon të kërkojë 30-vjeçarin, i cili u arratis menjëherë pas vrasjes së kryer pranë banesës së viktimës, në vendin e quajtur “Ura e Thive”. Policia ka ngritur postblloqe dhe po realizon krehjen e zonës për të arritur në gjurmët e Fredi Pëllumbit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme