Këshilltari i presidentit Donald Trump për Sigurinë Kombëtare, John Bolton, në një opinion të shkruar në janar të vitit 2008 në bashkëpunim me Lawrence Eagleburger dhe Peter W. Rodman, shprehet kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Tre opinionistët madje i bëjnë thirrje Presidentit të atëhershëm amerikan, George W. Bush, që të rishqyrtojë politikën e Amerikës në Kosovë; të marrë parasysh shqetësimet e Serbisë mbi atë çështje; të mos krijojë përplasje me Rusinë dhe të ndalojë njohjen e pavarësisë së Kosovës derisa rishqyrtimi të ketë përfunduar.
Artikulli përmend si argument faktin se Kosova mund të shërbejë si precedent i keq ndërkombëtar; mund të shkaktojë trazira të tjera në Ballkan, sidomos me shqiptarët në Maqedoni; Kosova nuk ka aftësitë ekonomike e administrative për të ekzistuar si shtet normal; dhe njohja e njëanshme e pavarësisë do të ishte kënaqje e kërcënimeve për dhunë nga ana e shqiptarëve.
Administrata e Presidentit Bush [George W. Bush], ka shprehur gatishmërinë për të njohur shpalljen e njëanshme të pavarësisë nga ana e shqiptarëve etnikë të Kosovës, një provincë e Republikës Serbe që ka kaluar nën administrimin e OKB-s dhe nën kontrollin ushtarak të NATO-s, që nga viti 1999.
Kjo shpallje e pavarësisë mund të ndodhë që këtë shkurt. Njohja amerikane do të vinte kundër qëndrimit të Serbisë, pa një zgjidhje të negociuar midis Serbisë dhe shqiptarëve të Kosovës, dhe pa modifikime të bëra në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurisë së OKB-s, e cila ripohon sovranitetin e Serbisë në Kosovë, duke i ofruar provincës një autonomi substanciale. Njohja [e pavarësisë] nga Amerika mund të ndiqet nga disa vende të Bashkimit Europian, të cilët kanë pasur presion të madh nga Uashingtoni, ndërkohë që shumë shtete të tjera të BE-së dhe jashtë Europës kanë thënë se do ta kundërshtonin një nismë të tillë.
Përpjekjet për të imponuar zgjidhje të tilla mbi Serbinë do të sfidonin drejtpërsëdrejti Rusinë, e cila është kundër çdo zgjidhjeje në Kosovë që nuk ka miratimin paraprak të Beogradit.
Ne besojmë se një zgjidhje e imponuar e çështjes së Kosovës, dhe përpjekjet për të ndarë territorin sovran të Serbisë pa pëlqimin e serbëve, nuk është në interes të SHBA-ve. Hamendësimi i pamatur i politikës amerikane që vetëm nëntë vite qetësi do të mjaftojnë për të bindur Serbinë e Rusinë që të ndryshojnë qëndrimet për një konflikt që zgjat prej shekujsh, ka treguar se është jashtëzakonisht naiv.
Ne besojmë se politika e Amerikës në Kosovë duhet të rishqyrtohet në mënyrë të menjëhershme, dhe e ftojmë administratën Bush që, gjatë kohës që priten rezultatet e rishqyrtimit, të ndalojë njohjen e pavarësisë dhe t’i nxitë shqiptarët e Kosovës që të mos e ndërmarrin këtë hap.
Politika e tanishme e SHBA-ve i qëndron idesë se Kosova është një rast “unik” e që nuk do të vendosë asnjë precedent për konflikte në vende të tjera. Sigurisht që çdo konflikt ka karakteristika unike. Megjithatë, pakicat fetare dhe etnike në vende të tjera kanë dhënë që tani shenja se do të ndjekin shembullin e Kosovës. Kjo përfshin edhe komunitetet shqiptare në jug të Serbisë, në Mal të Zi, sidomos në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, si dhe në zonën serbe të Bosnje-Hercegovinës.
Njohja e pavarësisë së Kosovës pa pëlqimin e Serbisë mund të vendoste një precedent me pasoja më të gjera e të paparashikueshme në shumë vende të tjera të botës. Modeli i Kosovës është cituar që tani nga lëvizjet separatiste të baskëve në Spanjë dhe të turqve në veri të Qipros. As Këshilli Kombëtar, as trupa të tjerë ndërkombëtarë, nuk e kanë autoritetin që të imponojnë ndryshime të tilla të kufijve të një vendi.
Aspekti më trazues i kësaj politike mund të jetë sjellja përjashtuese që mbahet ndaj qëndrimit të Rusisë. Çfarëdo mosmarrëveshjesh të kenë SHBA-të me Moskën për çështje të tjera, të cilat janë të shumta, nuk duhet të krijojë një krizë të panevojshme midis dy vendeve [SHBA-RUSI]. Ka shumë çështje urgjente për të cilat SHBA-të duhet të bashkëpunojnë me Rusinë, përfshi synimet bërthamore të Iranit dhe të Koresë së Veriut. Ky bashkëpunim do të minohej nga veprimet amerikane për të shpërfillur shqetësimet e ligjshme të Moskës për Kosovën.
Nëse SHBA-të përparojnë me njohjen e Kosovës, nuk mund të pritet që Moska të tregohet pasive. Situata ishte ndryshe në vitin 1999, kur SHBA-të dhe NATO ndërmorën veprime konkrete kundër Jugosllavisë, pavarësisht kundërshtimeve të një Rusie të dobët.
Por sot nuk është vendim i zgjuar të mos marrësh parasysh gatishmërinë dhe aftësinë e Rusisë për të ndihmuar Serbinë. Duke qenë një çështje me pak rëndësi për SHBA-të, a na shërben ky shpërdorim i kapitalit politik me Rusinë?
Kjo politikë e jona në Kosovë është po kaq problematike edhe për aleatët tanë në Europë. Sado që disa vende Europiane, kryesisht anëtarë të BE-së, mund të ndihen të detyruar të bashkohen me ne për njohjen e pavarësisë së Kosovës, shumë prej tyre do ta bënin pa dëshirë, për shkak të mungesës së fleksibilitetit dhe këmbënguljes së Uashingtonit. Ashtu si SHBA-të, as Europa nuk fiton gjë nëse krijon një përplasje të pashmangshme me Rusinë.
Edhe nëse Kosova deklarohet si shtet i pavarur, do të ishte një shtet jofunksional, një bazë e komunitetit ndërkombëtar për një të ardhme të pacaktuar. Korrupsioni dhe krimi i organizuar janë në nivele të larta. Ekonomia nuk ka baza të qëndrueshme, përveç bujarisë ndërkombëtare dhe veprimtarive kriminale. Zbatimi i ligjit, besueshmëria e gjykatave, mbrojtja e individit dhe pronës, si dhe të tjera kërkesa bazë për krijimin e një shteti, janë praktikisht jo-ekzistente. Këto dështime i faturohen statusit të paqartë të Kosovës, ndaj një pavarësi e shpallur në mënyrë të njëanshme, e njohur nga disa vende dhe e refuzuar nga shumë të tjera, nuk do të ndihmonte aspak.
Rezultati do të ishte një konflikt i ri i ngrirë dhe statusi i Kosovës do të vazhdonte të mbetej pezull. Rreziku për rikthimin e dhunës nuk do ta lejonte Kosovën të zhvillohej. Veç kësaj, tensionet në rritje mund të kërkonin që të shtohej prania e SHBA-ve në Kosovë, në një kohë kur nuk e kemi mundësinë ta përballojmë një gjë të tillë, për shkak të angazhimeve të tjera.
Serbia ka bërë hapa të rëndësishme për zhvillimin e demokracisë dhe rigjallërimin e ekonomisë, që nga rënia e regjimit të Sllobodan Millosheviçit. Politika e tanishme [e Amerikës] ndaj Kosovës rrezikon që t’i zhbëjë të gjitha këto arritje. Nëse do t’i duhej të zgjidhte midis një partneriteti me perëndimin apo mbrojtjes së kushtetutës dhe sovranitetit të territorit të vet, pak dyshime ka se cili do të ishte vendimi i Serbisë.
Nëse do të ketë radikalizim politik dhe destabilizim të brendshëm, rritja pozitive që ekziston tani mund të ndalojë së qeni e tillë. Serbia do t’i prishte marrëdhëniet me vendet që do ta njihnin Kosovën, dhe do të afrohej në mënyrë të pashmangshme me Rusinë, si mbrojtësen e saj të vetme.
Ne nuk e nënvlerësojmë kompleksitetin dhe vështirësinë që ka çështja e Kosovës, dhe as nuk sugjerojmë që gjendja e tanishme të vazhdojë pa mbarim. Siç ndodh me çdo çështje delikate, zgjidhjet afatgjata duhet të vijnë nga negociatat dhe kompromisi. Por këto arritje janë minuar paraprakisht nga premtimi që i kanë bërë SHBA-të shqiptarëve të Kosovës, që do t’u plotësohen kërkesat nëse tregohen këmbëngulës, pa arritur marrëveshje me Beogradin. Ky premtim nuk mund të justifikohet nga pretendimi (siç e thonë shpesh ata që mbështesin pavarësinë) se shqiptarëve po u “mbaron durimi”, ndaj pavarësia duhet shpallur pa vonesë. Kjo do të thotë të kënaqësh një kërcënim për dhunë.
Rishqyrtimi i qëndrimit të Amerikës ndaj Kosovës duhej të ishte bërë me kohë. Shpresojmë që të shmanget sa më shpejt kjo politikë që do të vendoste një precedent shumë të rrezikshëm ndërkombëtar, dhe që rishqyrtimi të nisë që tani. Ndërkohë, është e domosdoshme që të mos ndërmerren veprime të nxituara e të panevojshme, të cilat rrezikojnë ta kthejnë këtë problem relativisht të vogël në një shumë të madh. Brookings.edu /TCH/
Hasani takon homologun austriak, diskutojnë për lidhjen e fo...
Mustafa kujton babain Xhemailin, 24 vjet pas vrasjes: Ai ënd...
Në 24-vjetorin e vrasjes, Osmani kujton Xhemail Mustafën si ...
Ancelotti për Mbappen: Ai do të tregojë cilësitë e tij nesër
Çfarë është “Oreshnik”, raketa më e fuqishme që Rusia ka për...
Arrestohen 19 persona në Prizren, për bixhoz e skema piramid...