Google ADS

Këshilltari i Thaçit: Bolton foli si Presidenti për korrigjim kufijsh, jo për shkëmbim territoresh

18:05 | 25 Gusht 2018
Arbresh.info

Shefi i Stafit të Presidentit Thaçi, Bekim Çollaku ka thënë se qëndrimi i John Bolton se nuk kundërshtojnë korrigjimin e kufijve është në përputhje me qëndrimet e Shefit të Shtetit kosovar. Ai ka thënë se qëndrimi i njëjtë i Boltonit dhe Thaçit nuk është rastësi. Ka thënë se sa herë kosovarët kanë pasur qëndrim të njëjtë me amerikanët kanë dalë fitues.

Në Presidencën kosovare nuk e shohin rastësi qëndrimin e njëjtë të Këshilltarit për Siguri të Presidentit Tramp, John Bolton me deklaratat e Hashim Thaçit.

Madje, thonë se Shteti i Kosovës ka fituar sa herë ka pasur qëndrim të njëjtë me shtetin amerikan.

“Një qasje e tillë e SHBA-ve, është në përputhje me qëndrimet dhe qasjen e institucioneve të Republikës së Kosovës, respektivisht të Presidentit si udhëheqës i ekipit negociator, në kuadër të përpjekjeve për arritjen e marrëveshjes përfundimtare”, ka thënë për Express, Bekim Çollaku, Shef i Stafit në Presidencë.

“Për njohësit e politikës e jashtme të Republikës se Kosovës, sigurisht se ky qëndrim i përafërt i qëndrimeve, nuk mund të konsiderohet si rastësi. Fundja, Kosova gjithmonë ka dal fitimtare atëherë kur ka arritur t’i harmonizojë veprimet e veta me ato te SHBA’së”, ka shtuar ai.

Këshilltari i Trumpit kishte zgjedhur kryeqytetin ukrainas për të tregua qëndrimin e SHBA’së se nuk kundërshtojnë korrigjimin e kufijve nëse palët pajtohen.

“Politika jonë, politika amerikane është që, nëse të dyja palët mund të punojnë me njëra-tjetrën për të arritur një marrëveshje, ne nuk përjashtojmë korrigjimet territorial”, kishte thënë Bollton.

Çollaku ka thënë se Bolton s’ka përmendur shkëmbimin e territoreve por vetëm korrigjimin e kufijve qëndrim ky i thënë kohë të gjatë.

“… Bolton nuk e ka përmendur fare opsionin e shkëmbimit të territoreve. Për hirë të vërtetës, ai vetëm ka deklaruar se “SHBA-të nuk e kundërshtojnë një marrëveshje që implikon korigjimin e kufirit, në rast se të dy palët pajtohen”. Ky është thelbi i deklaratës dhe i qëndrimit të qartë të SHBA-ve lidhur me mundësinë e arritjes së një marrëveshje eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky qëndrim i qartë dhe mbështetës i SHBA-ve për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, ka kohë të gjatë që është bërë i qartë”, ka shtuar ai.

Zyrtari i Presidencës ia ka lënë meritat Thaçit për qëndrimin e njëjtë me të Boltonit.

“Presidenti Thaçi ka një trashëgimi të gjatë të bashkëpunimit shumë të afërt me SHBA-të. Prandaj, ne i mbetemi përherë mirënjohës SHBA-ve për mbështetjen e saj te përhershme ndaj Kosovës. Thjesht, jemi me fat qe i kemi në krah në çdo proces”.

Çollaku ka thënë se s’do të ketë shkëmbim të territoreve por vetëm korrigjim dhe në fund njohje reciproke, anëtarësim të Kosovës në NATO, BE e OKB.

“Jo, jo. Asnjëherë në diskursin tonë publik dhe në takimet tona formale apo jo formale, ne nuk kemi biseduar për një opsion të tillë të shkëmbimit të territoreve. Kështu që përgjigjet në këtë pyetje duhet ti kërkoni nga ata të cilët e promovojnë një opsion të tillë. Presidenti, ka propozuar vetëm korrigjimin e kufirit si mundësi për të arritur marrëveshjen përfundimtare të paqes dhe njohjes reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si kusht thelbësor për anëtarësimin e Kosovës në BE, NATO dhe OKB”, ka shtuar ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme