Google ADS

Komuna e Pejës ndërton rrugë në pronë private, pa pëlqimin e pronarit

09:21 | 25 Gusht 2018
M. A.

Skender Muslija thotë se Komuna e Pejës në mënyrë të kundërligjshme dhe pa pëlqimin e tij filloi të ndërtojë rrugë në pronën e tij.

Muslija që jeton në Zvicër, thotë të ketë marrë garanci nga kryetari i kësaj komune se rrugë në pronën e tij nuk do të ndërtohej pa një pëlqim paraprak të tij.

Por një ditë ai kishte dëgjuar se rruga kishte filluar të ndërtohej.

“Pas një bisede që kam pas me Kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxherin, më kishte thënë që toka është e imja dhe që nuk do të punohej, dhe se nëse do të punohej do të kishim një marrëveshje paraprake, pas bisedës së tillë unë shkojë në Zvicër ndërsa një të shtunë dëgjoje se komuna pa dijen dhe pëlqimin tim kishte filluar të ndërtonte rrugën “, tha Muslija.

Ai tha se pas fillimi të ndërtimit të rrugës në pronën e tij, u detyrua që të vijë nga Zvicra dhe të kërkojë mbrojtjen nga gjykata.

“Pas fillimit të ndërtimin e rrugës në pronën e time erdha nga Zvicra dhe kërkova mbrojtje nga gjykata për caktimin e masës së sigurisë, e cila edhe u aprovua nga gjykata dhe me vendimin e të cilës u ndërprenë punimet”, tha Muslija.

Gjithë kjo, sipas tij, ndodhi pasi Kryetari kishte bëre premtim elektoral përpara zgjedhjeve të fundit që do ta shtronte rrugën në atë zonë.

KALLXO.com, ka biseduar me shefin e zyrës së kryetarit Gazmend Muhaxheri, Durim Sheremetin, i cili tha se rruga ka qenë e planifikuar dhe se prona e Skender Muslisë do të shpronësohet.

“Rruga ka qenë e planifikuar nga komuna dhe ka qenë prioritet i cili edhe ka fillu mu ba dhe tash do të fillojnë procedurat e shpronësimit. Së pari shkojnë në drejtorinë e financave të cilët do ta vlerësojnë pronën dhe në momentin që aprovohet ne do t’ia kompensojmë pronën “, tha Sheremeti.

Të ngjashme