Google ADS

Rama akuzon opozitën se sponsorizon artikuj në median botërore

23:28 | 24 Gusht 2018
A. B.

Pas artikullit të prestigjioze amerikane ” The Washington Times” sipas të cilës reforma në drejtësi e sponsorizuar nga fondacioni “Soros” kishte lënë Shqipërinë pa sistem gjyqësor, çka ishte në favor të kryeministrit, reagoi edhe Edi Rama.

Ai e cilëson një artikull të paguar nga opozita në Shqipëri.

Rama shkruan se vettingu për të cilin shumë po e kritikojnë do të pastrojë drejtësinë nga themelet e saj.

“Paguani paguani artikuj nëpër botë kundër Vetingut! Shani e mallkoni në sa gjuhë të mundeni Reformën në Drejtësi!

Na akuzoni sa të doni për imoralitet nga dritarja e shtëpisë suaj publike! Ne do ta pastrojmë me rrënjë drejtësinë s’e s’kemi frikë nga drejtësia e vërtetë Deri në fund”, shkruan Rama.

Artikulli

Nga L. Todd Wood – The Ëashington Times

Axhenda devijuese e Soros simbolizohet nga prishja e reformës në Shqipëri

Reforma në drejtësi dukej si një ide e mirë në Shqipëri, e cila, si shumë vende ish-komuniste, po përballet me pasojat e një trashëgimie dhjetëra vjeçare korrupsioni.

Nuk ka hapësirë të mjaftueshme në këtë rubrikë për të hyrë në detajet e ndërlikuara të kësaj reforme, por ndikimi keqdashës i organizatave dhe këshilltarëve të financuar nga miliarderi liberal hungarezo-amerikan George Soros, është i qartë në Shqipëri, ndërsa zyrtarët shqiptarë përpiqen të rishikojnë sistemin gjyqësor.

“Procesi i reformës” i cili filloi në vitin 2016, i ndihmuar dhe mbështetur nga ekspertë të financuar nga Soros dhe e nxitur fort nga Ambasada e SHBA në Tiranë, në të vërtetë, ka lënë vendin pa gjykata. Në këtë mënyrë, qeveria e tanishme socialiste, e kryesuar nga Kryeministri Edi Rama, ka mundur të miratojë ligje, të cilat nuk kanë thuajse asnjë mundësi kontrolli ligjor, ndërkohe që Prokuroria është mbushur me emërime politike.

Askush nuk e di se kur gjykatat do të plotësohen e do të mund të jenë funksionale si një pushtet i pavarur. Kur në fakt ky ishte i gjithë thelbi i reformës.

Problemi duket se është struktura, që “ekspertët” shtynë popullin shqiptar të besonte. Pas injorimit të shumë paralajmërimeve nga shqiptarët me përvojë në sistemin gjyqësor, u krijua një proces i rreptë verifikimi (vettingu) me supozimin se do të garantonte largimin nga sistemi te gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar.

Por shumë pak kandidatë ia kanë dalë procesit të vettingut, duke i lënë gjykatat pa kuorumin e nevojshëm dhe të pamundura për të vendosur mbi kushtetutshmërinë e veprimeve të qeverisë mbi ligjet e miratuara.

Sa e favorshme për qeverinë!

Procesi i vettingut është përdorur gjithashtu për të zhdukur kundërshtarët politikë nga çdo rol në të gjitha pushtetet, duke ruajtur fuqinë absolute të z. Rama. Natyrisht, gjykatës të korruptuar janë mbajtur në detyrë dhe zyrtarë te ndershëm janë larguar nga detyra, nëse ata besojnë gjënë e gabuar ose mbështesin partinë e gabuar.

Kur e gjitha kjo kombinohet me ndryshimet kushtetuese të bëra në vitin 2008, të cilat vendosën që ligjvënësit të mos zgjidheshin më drejtpërdrejt, por u zëvëndësua me një sistem me listë partie, në thelb populli shqiptar u privua nga e drejta për të zgjedhur. Sërish, e gjitha kjo duket se ka qënë rezultati i dëshiruar gjatë gjithë kohës.

Në vitet e fundit, Shqipëria është kthyer në një narkoshtet, duke u zhvendosur në krye të listave të prodhimit të marijuanës që trafikohet në Itali dhe në pjesën tjetër të Europës. Drogat e forta janë gjithashtu shumë të përhapura. Varësia dhe problemet e tjera të drogës po bëhen normë në një vend me vetëm 2.5 milionë njerëz, që është duke u stërmunduar.

Gjithashtu, Shqipëria është duke u bërë një pikë trafikimi dhe një portë për në Europë për drogat e forta që vijnë nga Amerika e Jugut dhe Azia Qendrore. Kritikët thonë se ligjet e miratuara në parlament, që nuk janë subjekt i shqyrtimit të një Gjykate Kushtetuese, pasi është jofunksionale, po ndihmojnë në pastrimin e parave të kësaj tregtie droge.

Amerikanët dhe evropianët po injorojnë të gjithë këtë situatë, ndoshta për të shmangur pranimin e dështimit te axhendës Soros/globaliste, e cila pas shumë përpjekjeve për t’u futur, nuk funksionoi në këtë rajon. Ose, ka funksionuar shumë mirë, por rezultati nuk ka qenë ai që duhej për popullin shqiptar.

Socializmi nuk është asnjëherë për njerëzit, por gjithmonë për pushtet. Në fund të fundit, ka të bëjë me marrjen e kontrollit në mënyrat që Marksi i kuptoi qartë. Z. Soros është duke u përpjekur të kopjojë një shabllon të dështuar majtist në të gjithë Ballkanin, duke promovuar një shoqëri me kufij të hapur, e ngjashme me një Jugosllavi të re dhe sigurisht të kontrolluar nga socialistët.

Bashkimi Evropian i ka dhënë shumë rëndësi natyrës së supozuar antidemokratike të reformës gjyqësore në Poloni dhe Hungari, por ka injoruar situatën shumë më të tmerrshme dhe të pandershme, që po ndodh në Shqipëri. Siç dihet, rrezet e diellit janë gjithmonë dezinfektuesi më i mirë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme