Google ADS

Lirohet nga arresti shtëpiak Azem Syla

19:58 | 24 Gusht 2018
Arbresh.info

Gjykata Themelore e Prishtinës, ka marrë vendim për ndërprerjen e masës së arrestit shtëpiak, ndaj ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla. Këtë e ka konfirmuar për Insajderi, avokati i ish-deputetit Syla, Besnik Berisha.

Një vendim të tillë Gjykata Themelore e Prishtinës, e kishte marrë edhe më 12 mars të këtij viti, ku e pati refuzuar kërkesën e Prokurorisë për zgjatjen e masës së paraburgimit ndaj Azem Sylës, duke e liruar atë që të mbrohet në liri. Mirëpo, vetëm pas 11 dite qëndrimi në liri, ndaj Azem Sylës ishte marrë përsëri vendim që ai të kthehet sërish në burg shtëpiak.

Azem Syla, së bashku 21 persona të tjerë akuzohen për krim të organizuar në lidhje me tjetërsimin e tokave me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë, afër Prishtinës, në rastin e quajtur “Toka”.

Prokuroria Speciale e Kosovës, kishte ngritur aktakuzë ndaj tyre më 25 tetor të vitit 2016.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Sipas aktakuzës, anëtarët e këtij grupi kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive./Insajderi

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme