Washington Post: Shtëpia e shumë të rekrutuarve nga ISIS-i, Kosova në luftë me radikalizmin

18:51 | 24 Gusht 2018
Arbresh.info

Shfaqja e akteve terroriste në Blegjikë, Francë e disa vende të tjera me autorësi të marrë nga organizata terroriste ISIS, kishte marrë vëmendje të madhe, por tashmë një problem i madh siç është radikalizimi po përfshinë skaje të kontinentit të vjetër.

Kosova një vend i vogël në Ballkan me shumicë myslimane, ka nxjerrë më së shumti luftëtar të huaj për kokë banori se çdo vend tjetër perëndimor që nga shfaqja e ashtuquajturit Shteti Islamik në vitin 2014 (oraganizatë tashmë e shpërbërë).

430 qytetarë të Kosovës i janë bashkuar kësaj organizate dhe grupeve të tjera islamike (Al Nusra, dhe fraksioneve tjera opozitare në Siri) që nga ajo kohë, shkruan Washington Post.

Kosova si një vend me aspirata për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian, ka qenë nën presion të vazhdueshëm për të luftuar problemin e radikalizimit, dhe autoritetet pretendojnë se është arritur sukses në këtë drejtim.

Që nga viti 2013, Policia e Kosovës deklaron se janë ngritur akuza ndaj 120 personave të dyshuar për terrorizëm, ndërsa me janë arrestuar shumë të tjerë, përfshirë këtu edhe imamë me reputacion të madh publik, nën dyshimet se kanë rekrutuar njerëz për luftërat e jashtme.

Kujtim Bytyqi, analist politik që ka udhëhequr strategjinë e Kosovës në luftën kundër terrorizmit thotë se “tani nuk e shohim terrorizmin si një kërcënim”.

“Ka heshtje totale. Të gjithë imamët, edhe nëse duan të thonë diçka, kanë frikë nga qeveria”, thotë më tej ai.
Por shumë prej të dyshuarve për terrorizëm, të dënuar sipas ligjeve të vjetra kundër terrorizmit, ligje këto që kufizonin dënimet me burg deri në pesë vjet, tani po lirohen.

Por ka shqetësime se koha për t’i rehabilituar këta të dënuar ka qenë e shkurtër.

“Ne po bëhemi më të fortë dhe më të zgjuar”, tha Fitim Lladrovci, 28 vjeç, një ish-luftëtar i Shtetit Islamik.
Duke iu referuar ekstremistëve ai tha se “terroristët nuk do të ri integrohen dhe mund të sulmojnë edhe këtu”.

Anne Speckhar, një psikiatre e cila drejton Qendrën ndërkombëtare për Studime të Ekstremizmit thotë se injorimi i rasteve si Lladrovci për mos rehabilitim, janë shembull për “xhihadistët e tjerë që kthehen në Kosovë nga vendet tjera”.

“Trendi nuk është pozitiv”, shtoi më tej ajo.

Garentina Kraja mendon se raste të tilla janë një zhvillim ogurzi sa i përket deradikalizimit të të kthyerve nga luftërat e Sirisë dhe Irakut.

“Duhet të sigurojmë një model deradikalizimi për të gjithë Evropën”, shprehet me tej Garentina Kraja, hulumtuese në Qendrën kosovarë të Studimeve për Siguri.

“ Ne jemi shumicë myslimane, por jemi qytetarë evropian laikë. Është një ndjenjë që duhet të gjejmë një shembull diku si një përgjigje për atë se si duhet të punohet në deradikalizim”, shtoi më tej ajo.

Kosova mund të jetë gjithashtu një pikë hyrëse nga ku ekstremistët depërtojnë në BE për të nisur sulme, tha Daniel Koehler, drejtor i Institutit Gjerman për Studimet e Radikalizimit dhe De-Radikalizimit.

Në fillim të qershorit, autoritetet e Kosovës arrestuan një çift të dyshuar për planifikimin e sulmeve ndaj trupave të NATO-s në Kosovë, si dhe në vendet publike në Francë dhe Belgjikë.

Që nga prilli, Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka ndihmuar në zbatimin e programeve të rehabilitimit në burgjet e Kosovës ndaj të akuzuarve për terrorizëm.

Përpara kësaj kohe, Kosova nuk kishte program gjithëpërfshirës për rehabilitimin e luftëtarëve të kthyer sipas raportit të Komisionit Evropian të vitit 2018 .

“Shumica e vendeve evropiane kanë programe të tilla shumë më të qëndrueshme. Në Gjermani, Britani të Madhe e Francë, ka një infrastrukturë të burgjeve shumë më të mirë se në Kosovë”, tha Koehler.

“Kosova ende po rehabilitohet nga lufta e viteve 1998-1999 kundër Serbisë dhe po vuan korrupsionin në sektorin publik dhe gjithashtu ka probleme me sundimin e ligjit”, thotë më tej ai, përcjell Telegrafi.

Programi i ri i mbështetur nga SHBA, dërgon në burgje psikologë, sociologë, punonjës socialë dhe imamë të moderuar nga Bashkësia Islame e Kosovës për të punuar në rehabilitimin e të burgosurve të akuzuar për terrorizëm.

Kjo strategji e rehabilitimit të ekstremistëve është testuar në Arabinë Saudite dhe në vendet arabe, përpara se aplikohet në Kosovës, thotë Koehler, “por kjo metodë shumë rrallë funksionon”.

Lladrovci, i cili u lirua nga burgu tre muaj më parë, pasi vuajti dënimin më shumë se tre vite, përqesh idenë e dërgimit të imamëve të moderuar, siç thotë ai të dërguar nga shërbimet e inteligjencës.

Të kthyerit, tha ai, nuk do t’i pranojnë ata imamë “sepse ata nuk janë myslimanë të vërtetë”.

Anne Speckhard, një psikiatre që drejton Qendrën Ndërkombëtare për Studimin e Ekstremizmit të Dhunshëm, tha se programi i tillë i de radikalizimit është i gabuar.

Ajo thotë se një personi që i është çrrënjosur ideologjia, vështirë se mundë të “rrëshqas përsëri në terrorizëm”, ndërsa një tjetri që është “çliruar” nga dhuna por mbështet akoma ideologji ekstremiste, ka gjasa të mëdha t’u kthehet veprave terroriste.

Liridon Kabashi, 31 vjeç, është një ish anëtar tjetër i Shtetit Islamik.

Ai tha se thjesht nuk pa asnjë përpjekje për trajtimin e të dënuarve në burgje.

“Për dy vjet kam dëgjuar të flasin për programin e rehabilitimit, por kurrë nuk kam parë atë realisht”, tha Kabashi, i cili u kthye në Kosovë në vitin 2013 dhe vuajti një dënim tre vjeçar.

Ndryshe nga Lladrovci, atij i vjen keq që u bashkua me Shtetin Islamik dhe nuk justifikon asnjëherë sulmet terroriste në Evropë.

Megjithatë, ai tha se “të kthyerit e tjerë” ende përqafojnë një ideologji radikale dhe kanë nevojë për programe të vërteta “de-radikalizimi dhe ri integrimi” para se ata të bëhen më të sofistikuar dhe të planifikojnë sulme në Kosovë apo më gjerë./Telegrafi

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme