KOSID-i kërkon anulimin e vendimit të ZRRE-së për lejimin e humbjeve për KEDS-in në dëm të qytetarëve

13:09 | 23 Gusht 2018
Arbresh.info

Konsorciumi Kosovar për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) shprehë indinjatën dhe kundërshtimin ndaj vendimit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për rritjen e nivelit të humbjeve të KEDS dhe ngarkimin e kësaj kostoje te qytetarët e Kosovës, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“ZRRE ka shkelur mandatin për të mbrojtur interesin publik dhe duke përdorur me arbitraritet pushtetin e vet, ka vendosur t’ia faturojë humbjet e një kompanie private, të gjithë qytetarëve të Kosovës. Kështu, ky institucion është vënë plotësisht në mbrojtje të një operatori privat që përfiton miliona në kurriz të konsumatorëve të një shërbimi bazë të jetës. KOSID kërkon anulimin e menjëhershëm të këtij vendimi dhe depolitizimin e menjëhershëm të Bordit të ZRRE-së”, thuhet në komunikatë.

Në mbledhjen e V-të të mbajtur të ZRRE-së, të hënën me datë 20 gusht 2018, bordi aktual i kësaj agjencie aprovoi ‘Nivelin e Humbjeve Të Lejuara’ për Operatorin e Sistemit te Shpërndarjes (OSSH) për periudhën e dytë rregullative 2018 – 2022, ku mori vendim rritjen e nivelit të humbjeve të OSSH prej 1.9%, të cilat do t’i faturohen qytetarëve. Ky vendim i pakonsultuar dhe i padrejtë do të rrisë fitimet e KEDS-it dhe do të rrisë varfërinë energjetike të qytetarëve të Kosovës.

Në raportin vjetor të ZRRE-së të vitit 2017, humbjet e paraqitura për vitin e fundit ishin 17%, humbje të cilat do të duhet të zvogëloheshin me kalimin e viteve për shkak të investimeve që ndodhin në sistemin shpërndarës. Fundja, kjo ka qenë ndër argumentet kryesore pro shitjes së distribucionit. Vendimi i fundit i ZRRE-së lejon që humbjet të arrijnë në nivel prej 18.9%, me arsyetimin se KEK ka dështuar t’i ulë humbjet gjatë operimit dhe se ato nuk mund t’i barten si barrë Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) – KEDS.

monetare e humbjeve të rritura do t’iu reflektohen qytetarëve të Republikës së Kosovës në faturat e tyre mujore, të cilët do të jenë viktimë e mospunës efektive që bëjnë institucionet e sektorit të energjisë. Përgjithësisht, vlerësohet se me 1% rritje të nivelit në humbje shkaktohet dëm prej 2.5 milionë euro, me ç’rast për 1.9% të humbjeve të lejuara vlerësohet që humbjet financiare të arrijnë vlerë deri në 4 milionë euro. Ky vendim i ZRRE-së automatikisht do të rrisë çmimin e energjisë elektrike për konsumatorin final. Pra, konsumatorët do të paguajnë për humbjet e lejuara të OSSH-së. Vendimi i 20 gushtit, padyshim, që ngreh dyshime mbi pavarësinë e Bordit të ZRRE-së dhe rolit të tyre në sektor”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

Përkundër planifikimit të humbjeve dhe aprovimit të tyre në vitin paraprak, OSSH me kërkesat e parashtruara në ZRRE kërkoi që humbjet për këtë vit të arrijnë vlerën e 21.9%, që është për 5% më e madhe se ajo që ju lejua nga ZRRE. Për më tepër, kur flitet për humbjet, nuk bëhet e ditur nëse ju referohen atyre komerciale apo teknike.

Në rast se janë komerciale, mungojnë të dhëna mbi vendin dhe shifrat respektive të humbjeve dhe vjedhjeve eventuale të rrymës. Sipas Ligjit Nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike, vjedhja e energjisë elektrike dënohet me burg, inspektim i cili duhet të ndodhë nga vet kompanitë operuese në sektor, KEDS, dhe të ndërmerren masa nga Policia e Republikës së Kosovës, gjyqësori dhe prokuroria. Në rast të konstatimit se legjislacioni dhe kontrata në fuqi ka hapësirë për përmirësim atëherë Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të merr masa në përmirësimit e kornizës legjislative dhe të rishikoj kontratën. Ndërkaq, nëse janë humbje teknike, të cilat janë përgjegjësi e vet OSSH-së, ZRRE duhet të marrë masa konkrete të cilat nuk ndëshkojnë qytetarët, por kompanitë përgjegjëse për dëmin e bërë në sektor. Nuk mund të ketë ndëshkim kolektiv për qytetarët për shkak të mospunës së institucioneve ose operatorëve në treg.

Sipas deklaratave të ZRRE-së dhe raporteve të publikuara, të gjitha investimet të kërkuara për aprovim nga ZRRE-ja janë pranuar, ndërsa OSSH akoma vazhdon të operojë me humbje në treg me arsyetimin e nivelit të lartë të vjedhjeve të energjisë elektrike në Kosovë. Dhe në vend se ZRRE të mobilizojë kapacitetet monitoruese dhe të kërkojë përgjegjësi se si është e mundshme që megjithë “investimet” prapë vlera e domosdoshme e uljes së humbjeve nuk po plotësohet, ZRRE ka vendosur që këtë borgj të KEDS-it t’ia kalojë qytetarëve të Kosovës. ZRRE është rregullatorë i tregut i themeluar që të rregullojë tregun e energjisë në Kosovë vetëm duke mbrojtur interesin publik. Kushtetuta e Kosovës është e qartë në marrëveshjen e këtij roli për rregullatorët e pavarur: “Republika e Kosovës do të themelojë organe të pavarura për rregullimin e tregut atëherë kur vetë tregu nuk mundet që në masë të mjaftueshme të mbrojë interesin publik.” Duke favorizuar operatorin privat në dëm të qytetarëve të Kosovës, ZRRE ka dëmtuar qëllimshëm interesin publik.

KOSID gjithnjë ka ngritur shqetësimet për keqmenaxhimet e sekorit te energjisë në vend dhe politizimin e bordeve të agjencive të pavarura. Ky bord që tani merr këso vendime jolegjitime, është i emëruar politikisht, në kundërshtim me ligjin dhe rekomandimet që ekspertët e Ambasadës Britanike kishin dhënë për procesin. Vendimi erdhi si propozim i anëtarit të bordit, z. Izet Rashiti, i cili në procesin e vlerësimit të emërimit si anëtarë bordi mori pikët minimale sa i përket plotësimit të kritereve. Në këtë proces gjithashtu u shkel memorandumi mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Ambasadës Britanike.

Së fundmi, ZRRE ka kohë që nuk bën përditësimin e herë pas hershëm të kanaleve zyrtare, ku publiku mund të ketë qasje në dokumentet publike. Përpos komunikatës për media, vendimi i 20 gushtit ende nuk është publikuar në faqen zyrtare të agjencisë.

Përfundimisht, edhe njëherë, KOSID bënë thirrje që vendimi në fjalë të anulohet dhe njëherazi të bëhet rishikimi i kontratës së shitjes së Distribucionit dhe legjislacionit në fuqi, dhe të sigurohet fuqizimi i një ZRRE-je të pavarur e që punon në interes të publikut, dhe jo të kompanive private.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme