Gjermania, strategji të re për raportet me SHBA

18:05 | 22 Gusht 2018
Arbresh.info

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas mendon se duhet ndryshuar strategjia e tanishme e raporteve me SHBA-në. Berlini duhet të krijojë një pol të kundërt balancimesh në raportet me Uashingtonin.

Nga Deutsche Welle

Ministri i Jashtëm Heiko Maas ka propozuar një kornizë të re në raportet me SHBA-në. Në një artikull të shkruar për gazetën “Handelsblatt”, ai angazhohet për një “partneritet më të balancuar” me SHBA-në, ku Gjermania do të “krijonte një pol të kundërt, atje ku SHBA paraqet linjat e kuqe. Ne duhet të angazhohemi atje ku SHBA tërhiqet.”

“Nuk duhet heshtur deri në përfundimin e presidencës së Trumpit”

“Është koha për një dimensionim të ri të partneritetit tonë”, thuhet në artikullin e ministrit të Jashtëm. “Jo për ta anashkaluar atë, por për por për ripërtëritjen dhe ruajtjen e këtij partneriteti”. SHBA dhe Evropa po divergojnë prej vitesh dhe kjo jo vetëm nga ardhja e Trumpit në postin e presidentit. “Po zvogëlohet gërshetimi i vlerave dhe interesave të përbashkëta që kanë përshkuar raportet tona në dy dekadat e fundit.” Këto ndryshime mund të zgjasin edhe pas presidencës së Trumpit. Ndaj nuk është një mundësi e mirë “pritja që të kalojë presidenca e Trumpit”.

Politikani socialdemokrat flet në këtë artikull edhe për politikën amerikane të sanksioneve – si në rastin e Iranit, që i prek edhe sipërmarrjet jashtë SHBA-së, që punojnë në Iran. Qëllimi duhet të jetë “mbrojtja e sipërmarrjeve evropiane nga sanksionet amerikane”, shkruan Maas.

Berlini dhe Parisi duhet të jenë unik

Gjermania duhet të bashkëpunojë ngushtë me Francën dhe vendet tjera të BE-së, me “synim që të krijohet një sistem i pavarur i pagesave, një fond evropian i financave dhe një sistem të pavarur Swift”. Ministri i Jashtëm gjerman kërkon edhe aplikimin e tatimeve digjitale për koncernet e mëdha amerikane në Internet.

Njëkohësisht Maas angazhohet edhe për shtimin e buxhetit për sektorin e mbrojtjes, siç ka kërkuar Trump disa herë prej evropianëve dhe në veçanti nga Gjermania. Qëllimi i shtimit të financave është ngritja e nivelit të mbrojtejs në BE. “Jo për shkak të kërkesve të Donald Trumpit, por për faktin që ne nuk mund të mbështetemi si më parë tek Uashingtoni.”

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme