Jo vetëm gaz rus, Merkel kërkon alternativa furnizimi në Azerbajxhan

17:56 | 22 Gusht 2018
Arbresh.info

Angela Merkel do të vizitojë këtë javë Azerbajxhanin, ku në qendër të diskutimeve do të jetë ideja e ndërtimit të një tubacioni për të sjellë gaz në Europë, nëpërmjet detit Kaspik.
Ndonëse kancelarja gjermane mbetet tërësisht e interesuar për të çuar përpara projektin Nord Stream 2, që do të sjellë gaz nga Rusia në Gjermani, direkt nëpërmjet detit Baltik, sërish vijon të studiojë burime alternative.
Në Baku, Merkel do të diskutojë çështjet e energjisë, duke përfshirë përmirësimin e infrastrukturës për të ndihmuar transportin e gazit nga Azerbajxhani në Europë nëpërmjet Turqisë.

“Ne kemi një interes të madh për zhvillimin e mëtejshëm të Korridorit Jugor. Kjo është pjesë e strategjisë së diversifikimit të BE-së për të marrë gaz nga rajone të tjera, jo vetëm Rusia”, tha një zyrtar i lartë i qeverisë gjermane.

Kujtojmë që më herët presidenti amerikan Donald Trump e kishte kritikuar projektin ruso-gjerman, Nord Stream 2, pasi i kishte sugjeruar Angela Merkelit se ky tubacion do të rriste varësinë e Gjermanisë për gazin rus.

Nga ana tjetër, Azerbaixhani duket se kërkon të luajë një rol vendimtar, pasi planifikon të nisë fazën e dytë të një tubacioni të gazit, nga fusha e madhe Shah Deniz, në Evropë. Shah Deniz II pritet të prodhojë 16 miliardë metra kub (bcm) gaz në vit nga 2020-a, me 10 miliardë të dedikuar për Evropën dhe 6 miliardë për Turqinë dhe Gjeorgjinë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme