Sot protestohet për të kërkuar shkarkimin e kryeprokurorit Aleksandër Lumezi

07:03 | 22 Gusht 2018
Arbresh.info

Nën organizimin e qytetarëve pjesëmarrës do te mbahet një protestë, ku do të kërkohet dorëheqja e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi si dhe dhe fillimin e procesit të vetingut për gjyqësorin e vendit tonë.

“Shkarkim Prokurorit – Veting Gjyqësorit”, është motoja e protestës, e cila pritet të mbahet sot, duke filluar nga ora 18:00 në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Protesta ka për qellim largimin e Aleksandër Lumezit nga posti i kryeprokurorit të shtetit, e cila bëhet pas akuzave të ish-prokurorit Elez Blakaj, për politizim të prokurorisë kosovare.

“është e qartë: prokuroria është në shërbim të politikës. Edhe po të ketë prokuror si Elez Blakaj që ka vullnet për ta luftuar korrupsionin, do të pengohet nga Kryeprokurori Aleksandër Lumezi dhe Kryeministri Ramush Haradinaj.”

“Qytetari i Republikës në rrethana të tilla duhet të jetë në krye të përgjegjësive dhe detyrave të veta qytetare. Sot, detyrë është kërkesa për shkarkimin e Kryeprokurorit Lumezi dhe fillimin e procesit të vetingut për gjyqësorin e vendit tonë”, thuhet në thirrjen e protestes.

Kryeprokurori Aleksandër Lumezi është akuzuar nga prokurori special i dorëhequr ditë më parë, Elez Blakaj, i cili po merrej, veç tjerash, edhe me rastin e veteranëve të rrejshëm.

Në një reagim të gjatë në Facebook, Blakaj fillimisht e ka pranuar për herë të parë se ka pasur kërcënime për rastin e veteranëve, por nuk i ka denoncuar, sepse nuk ka besim në sistemin aktual të drejtësisë, që e vlerëson të politizuar.

Ka treguar se Lumezi e ka penguar në hetimin e listës së veteranëve të rrejshëm, dhe e ka kërcënuar me masa disiplinore kur ky ka planifikuar ta ftojë në cilësinë e dëshmitarit, kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli dhe për vazhdimin e rastit “Pronto”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme