Ndarja e Kosovës u diskutua nga Rama dhe Vuçiç në darkën e Bogradit në 2016-n

23:21 | 20 Gusht 2018
Arbresh.info

Avokati kosovar Dastid Pallaska, në një intervistë të gjatë për gazetën “Zëri” thotë se po krijohet përshtypja se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç kanë rënë dakord për rezultatin përfundimtar të dialogut, përkatësisht shkëmbimin e territoreve. Sipas tij, ndarja e Kosovës për herë të parë u diskutua në darkën e Edi Ramës me liderët serbë në Beograd në vitin 2016.

“Interesat kombëtare nëpërkëmben pikërisht atëherë kur politikanë mediokër synojnë të zgjidhin probleme të mëdha. Tema që po bisedojmë sot është shembulli më i mirë për këtë. Ndërsa në vitin 2016 opinioni në Kosovë mirëpriti kërkesën publike të Kryeministrit të Shqipërisë drejtuar Kryeministrit të Serbisë që Serbia të njohë Kosovën, pakkush e ka ditur se ndarja e Kosovës për herë të parë u diskutua në darkën private që Kryeministri i Shqipërisë kishte me udhëheqjen serbe po të njëjtën ditë, ku propozimi për ndarje u prezantua nga Ministri i Jashtëm i Serbisë.

Dy vite më vonë, kjo ide depërtoi pothuajse në secilën qendër të rëndësishme të vendimmarrjes. Ekzibicionistët politikë, si Kryeministri i Shqipërisë – që për pak vëmendje dhe mbijetesë politike sakrifikojnë edhe interesat kombëtare – duhet ta kuptojnë se e vetmja mënyrë për të gjithë shqiptarët të jetojnë brenda kufijve të tyre historik është Bashkimi Evropian pa kufij” – thotë Pallaska.

Ai thotë se zhvillimi i fazës përfundimtare të dialogut me Serbinë në këtë “stuhi” të marrëdhënieve ndërkombëtare është ndërmarrje vetëvrasëse për interesat shtetërore të Kosovës.

“Është e pakuptueshme që Presidenti i Kosovës po e konsideron zhvillimin e fazës përfundimtare të dialogut me Serbinë pikërisht në një periudhë kohore kur konsideratat gjeopolitike janë qartazi në favor të Serbisë. Duket se Presidenti Thaçi ka harruar se liria dhe pavarësia e Kosovës ishin, para se gjithash, rezultat i një rendi të caktuar botëror i udhëhequr nga aleanca euro-atlantike dhe i bazuar në vlerat si promovimi dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe integrimi.

Aktualisht, ky rend botëror është i trazuar seriozisht jo vetëm për shkak të tensioneve në rritje ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve evropian por edhe si pasojë e veprimtarisë së fshehtë armiqësore të Rusisë kundër proceseve demokratike në shtetet perëndimore në të dy anët e Oqeanit Atlantik, të cilat përveç ndërhyrjes në rezultatet zgjedhore kanë rritur edhe jo-tolerancën përbrenda këtyre shoqërive.

Trazirat e krijuara në aleancën euro-atlantike së bashku me agresionin kibernetik të Rusisë kundër demokracive perëndimore paraqesin një mundësitë artë dhe të papërsëritshme për Serbinë për të rihapur, dhe rivendosur në dobi të vet, kauzat e humbura si në Kosovë ashtu edhe në Bosnjë.

Zhvillimi i fazës përfundimtare të dialogut Kosovë – Serbi në këtë stuhi të marrëdhënieve ndërkombëtare është ndërmarrje vetëvrasëse për interesat shtetërore të vendit. Për këtë arsye, Kosova duhet ta shtyj fazën përfundimtare të dialogut derisa të stabilizohet apo rikthehet rendi botëror nën të cilin Kosova u çlirua dhe u pavarësua” – thotë avokati kosovar.

Pallaska bën edhe një koment mbi deklaratat e Presidentëve Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiç për “kompromise të dhimbshme”.

“Paralajmërimet dramatike në lidhje me fazën përfundimtare të dialogut Kosovë – Serbi, të cilat i kemi dëgjuar ditëve të fundit nga Presidenti i Kosovës dhe Presidenti i Serbisë, janë tejet shqetësuese. Përkatësisht, të dy presidentët flasin – pothuajse në mënyrë të sinkronizuar – për “kompromise të dhimbshme,” të cilat pas sqarimeve shtesë duket se kanë të bëjnë me marrëveshje për ndryshim të kufijve.

Në këtë mënyrë krijohet përshtypja – shpresoj e gabuar – se dy presidentët vetëm se janë pajtuar për rezultatin përfundimtar të dialogut, përkatësisht shkëmbimin e territoreve, dhe se procesi i dialogut që pritet të filloj së shpejti do të jetë thjeshtë një fushatë mediale për të bindur opinionet publike në të dy vendet për “marrëveshjen” e arritur ndërmjet dy presidentëve”– thotë avokati.

A do të pranonte Serbia që tri komunat (Presheva, Metvegja dhe Bujanovci) t’i bashkohen Kosovës dhe a do të kërkonte shkëmbim me komunat veriore të Kosovës?

“Serbia do ta konsideronte këtë ide vetëm nëse marrëveshja eventuale do të kishte dykuptimësi në lidhje me statusin e Kosovës. Përkatësisht, nëse Kosova nuk do të trajtohej formalisht dhe juridikisht si shtet ky ndryshim i kufijve do të mund të akomodohej në sistemin kushtetues-politik të Serbisë thjeshtë si ndryshim i kufijve administrativ të një “krahine” brenda Serbisë” – thotë avokati ndër të tjera në intervistën e gjatë për “Zëri”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme