Kanë mbetur edhe pak orë deri kur besimtarët mysliman do të festojnë Kurban Bajramin, e interesimi për të therë kurban veçse është rritur.
Në tregun e kafshëve në Prishtinë, një numër i madh i qytetarëve kanë blerë kurban, në mënyrë që gjatë ditës së nesërme të bëjnë shpërndarjen e mishit. E çmimet për një kurban janë të ndryshme, që variojnë nga 120 deri në 200 euro.
Edhe Bashkësia Islame e Kosovës do të bëjë therjen e kurbanëve, por që edhe këtë vit do ta bëjnë në shtetin e Hungarisë, ku tenderin e ka fituar një kompani kosovare që vepron atje.
Për të shitur kurban në tregun e kafshëve kishte dal Shefqet Brajshori, i cili ka fermën e tij në fshatin Sharban të Prishtinës. Ai tregoi se ka interesim të madh të qytetarëve për të blerë kurban.
“Ka interesim, dikush po e merr një dikush dy, mbi një dy jo për familje. Interesim ka prej mëngjesit kanë marrë, bukur shumë kanë marrë. Çmimet po sillen qysh është dashi, 130, 150, ka edhe 200”, tregoi ai.
Ndërsa, nga ata që kishin ardhë për të blerë kurban dominonin mërgimtarët. Një nga ta ishte Sami Gashi, i cili jeton në Gjermani, e që blerjen e kurbanit për therje po e bënte për shkak të traditës.
“Kurbanin e bleva sepse e kemi traditë, kurbanin gjithë e kemi pre. Për çmime nuk janë të shtrenjta… Në bazë të kushteve që janë këtu pak janë shtrenjtë normal këta që jetojnë këtu, e na që jemi jashtë apët nuk është shumë”, tha ai.
Edhe mërgimtari tjetër që jeton në Gjermani, Hajdin Lahi, që në tregun e kafshëve kishte ardhur me fëmijët e tij, thotë se kurbanin po e blinte për shkak të traditës.
“Ne kemi ardhë për pushime verore këtu tek familja dhe arsyeja është se është traditë e fesë myslimane, kemi dëshirë për familje për atë arsye kemi dal edhe sot t’i blejmë dy kurban… Sa i përket çmimeve për këtu në Kosovë janë pak të shtrenjta, kurse për neve që vijmë nga diaspora ne nuk i këqyrim, janë çmimet në rregull”, u shpreh ai.
Për Mustaf Hajdinin nga komuna e Podujevës, therja e kurbanit nuk mbetet vetëm traditë. Sipas tij, ky është obligim për çdo mysliman.
“Siç dihet nesër është festë, është dita e Kurban Bajramit dhe është obligim për çdo mysliman dhe myslimane me therë kurban për këtë festë. Kurbani dihet që sakrifikohet në mënyrë që t’iu shpërndahet të varfërve, t’iu ndihmohet skamnorëve dhe të gjithë atyre që kanë nevojë me iu zgjat dorën e ndihmës. Dolëm sot për të parë çmimet, nuk po duken që janë të shtrenjta se dihet se është mundim edhe për këta që i mbajnë kurbanët që nuk është bash lehtë me i mbajte, po më duken të arsyeshme”, deklaroi ai.
Ndërkaq, Bashkësia Islame e Kosovës sikur çdo vit, do të organizojë tubimin dhe prerjen e kurbanëve, ndonëse zëdhënësi i BIK-ut, Ahmet Sadriu tregon se edhe këtë herë therja e kurbanëve do të bëhet nga një firmë kosovare që vepron në Hungari.
“Edhe këtë vit nga tenderi që është shpallë nga kryesia e BIK-ut, të interesuar kanë qenë firma e cila është një “Kosova farm” që është firmë kosovare që vepron në Hungari. Ata e kanë fituar tenderin të cilin ne e kemi shpallur, kështu që edhe këtë vit prerja e kurbanave do të bëhet në Hungari”, tha ai.
Sipas Sadriut, BIK-u ende nuk ka një numër të saktë se sa kurban do të theren, kjo pasi që procesi i porosive do të vazhdojë deri ditën e nesërme. Megjithatë, ai thotë se presin që numri i kurbanëve të shkoj deri mbi 8 mijë.
Falja e Kurban Bajramit do të bëhet në ora 6:25, ku manifestimi qendror do të mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.
Haradinaj mban sot konferencë për media
Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj
Sot mbahet Samiti i Ballkanit Perëndimor kundër diskriminimi...
Parashikimi i motit për sot
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...