Prishtina kërkon medoemos titullin në vitin e kthimit në “fole”

12:32 | 20 Gusht 2018
Arbresh.info

Pas më shumë se dy vjetësh FC Prishtina të hënën mbrëma do ta zhvillojë ndeshjen e parë në shtëpinë e vet, përkatësisht në stadiumin e kryeqytetit, i cili e ka marrë emrin “Fadil Vokrri” dhe i cili është modernizuar me një investim prej rreth 9 milionë eurosh.

Në fakt Bardhekaltrit saktësisht para një jave e kanë zhvilluar ndeshjen e parë në stadiumin e posarinovuar për Superkupën e Kosovës, të humbur në duel me Dritën, 2:1. Por, atë takim e kishte organizuar Federata e Futbollit e Kosovës, ndërsa takimi i sotëm i përket xhiros së parë të kampionatit të ri, të cilin e organizojnë vetë Bardhekaltrit për duelin me Gjilanin, shkruan Gazeta “Zëri”.

Prishtinasit i janë gëzuar jashtëzakonisht shumë kthimit në stadiumin e tyre, pasi janë rraskapitur duke u endur qe dy vjet nëpër Kosovë në kërkim të fushave për të luajtur dhe për të ushtruar me të gjitha ekipet e saj zinxhirore, gjë që u ka kushtuar shtrenjtë edhe në aspektin financiar, por kjo besohet të ketë ndikuar edhe në rezultate.

FC Prishtina është një skuadër e cila në çdo sezon lufton për titull të kampionit, trofe ky që i mungon qe pesë vjet, ndërsa kthimi në stadium beson se do t’i ndihmojë për ta kthyer titullin në kryeqytet. Për ta arritur këtë objektiv prishtinasit do të synojnë fitore në çdo ndeshje, duke filluar nga takimi i parë me Gjilanin ambicioz dhe të rikonsoliduar.

Klubi i ka ftuar tifozët ta shfrytëzojnë ndriçimin e reflektorëve që këtë mbrëmje vere ta kalojnë në stadiumin e zbukuruar të kryeqendrës së Kosovës, i cili tashmë ofron kushte për të pritur edhe çifte ose edhe familje me fëmijë. Bardhekaltrit janë të bindur në fitore, ndërsa “Plisat” e kanë konfirmuar prezencën në tribunën jugore. Ndërkohë, tribuna veriore do të jetë e rezervuar për tifozët e Gjilanit “Skifterët”, të cilët po e planifikojnë një udhëtim masiv, madje me ambicie për ta tejkaluar numrin e rivalëve të tyre, “Intelektualëve” e që të hënën e kaluar ishin në numër të madh në të njëjtin stadium për ta përkrahur Dritën.

Klubi vendas  u ka vendosur çmim prej 3 eurosh biletave të tribunave lindore dhe asaj veriore, ku do të vendosen gjilanasit.Kurse tribuna jugore u është rezervuar “Plisave”. Ndërsa në tribunën perëndimore një biletë do të kushtojë 5 euro. Ulësja e zonës VIP të hënën do të kushtojë 10 euro. Takimi nis në orën 19:45.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme